0Aktivistët e opozitës i kanë xhiruar në një video pasojat e masakrës dhe i kanë postuar në Internet. Ata konfirmojnë se të vdekurit janë gjetur në bodrumet e shtëpive. Midis tyre ka gra dhe fëmijë. Të gjithë ata janë viktima të operacionit ushtarak, i cili dyshohet se është kryer gjoja nga trupat qeveritare në fund të javës se kaluar.

Vërtetë, nuk ka asnjë konfirmim të pavarur të kësaj masakre. Më herët, veprimtarët e opozitës i kanë kapur në mënyrë të përsëritur “me presh në duar”, pra me video-montazhe të sajuara të këtyre apo atyre fragmenteve të ngjarjeve nga pika të ndryshme të nxehta. Tani në Siri nuk ka vëzhgues të OKB-së. Perëndimi dhe partnerët e tij në një sërë monarkish të Gjirit Persik kanë bërë gjithçka të mundur për t’i larguar ata prej këtij vendi. Rusia shprehu keqardhjen e vet në lidhje me këtë qëndrim të Perëndimit, të mbështetur në momentin e fundit edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, dhe doli se kishte plotësisht të drejtë. Mungesa e vëzhguesve është tejet e ndjeshme, e dukshme. Sepse ata mund të hidhnin të paktën njëfarë drite mbi ngjarjet në Darayya.

Mediat e qeverisë nuk kanë reaguar në kurrfarë mënyre ndaj deklaratave të opozitës. Ato njoftojnë vetëm se ushtria e ka spastruar Darayya nga terroristët. Më herët Damasku pat njoftuar se në këtë rajon periferik u zhvendosën militantët, të cilët u dëbuan muajin e kaluar nga kryeqyteti. Darayya është një zonë e populluar kryesisht me sunitë dhe, sipas disa njoftimeve, atje trupat opozitare kishin një depo të madhe me produkte ushqimore dhe armë.

Vërtetë, Presidenti Bashar Al-Assad reagoi megjithatë në mënyrë indirekte ndaj këtij incidenti. Ai deklaroi mbi vendosmërinë e vet për t’i bërë ballë komplotit të forcave të huaja, të drejtuar, sipas gjykimit të tij, kundër Sirisë dhe mbarë rajonit. Temën në fjalë e shtjellon më tej eksperti rus Boris Dollgov:

- Kjo është një deklaratë jashtëzakonisht e rëndësishme. Tashmë që prej kohësh dhe shumë flitet mbi ekzistencën e planeve për shpërbërjen e Sirisë në disa formime (subjekte) shtetërore, të ndara në bazë të përkatësisë etnike dhe fetare. Përse bëhet kjo? - do të pyesni ju. Për dobësimin e tandemit Siri-Iran si dhe lëvizjes shiite "Hezbollah" në Liban, krahut të saj në Palestinë. Meqenëse nuk është sekret për askënd se ato mbështeten nga Siria dhe Irani.

Ekspertët po e krahasojnë gjithnjë e më shpesh krizën siriane me luftën në Afganistan në vitet 1980 të shekullit te kaluar. Në radhët e opozitës anti-siriane ka shumë islamistë, të cilët marrin një mbështetje shumë bujare nga vendet e Perëndimit dhe Gjirit Persik. Në mënyrë të ngjashme si muxhahidët në Afganistan tri dekada më parë.

0E gjithë kjo tashmë çoi në faktin se, sipas zhvillimit të skenarit afgan, kriza siriane u shndërrua në një luftë të pamëshirshme.