0Anders Breivik u soll në sallën e gjyqit 40 minuta para fillimit të procesit gjyqësor. Fiks më 12:00 (sipas orës së Moskës) atje hynë gjyqtarët. Në sallë për disa sekonda mbretëroi një heshtje varri, pastaj filloi leximi i verdiktit. Sipas fjalëve të gjyqtares Wenche Elisabeth Arntzen, vendimi mbi gjendjen krejtësisht normale psikike të terroristit u morr njëzëri nga kolegjiumi i përbërë prej pesë anëtarësh.

- Anders Breivik dënohet me 21 vjet burg pa të drejtë lirimi më parë se pas 10 vjet burgimi, me marrjen parasysh të afatit të paraburgimit të tij. Gjykata e gjeti atë mentalisht të shëndoshë.

Breivik e dëgjoi shpalljen e aktdënimit me buzëqeshje vesh më vesh. Norvegjezi që kreu masakrën e famshme masive ka deklaruar në mënyrë të përsëritur: aktgjykimi "i çmendur" do të ishte poshtërues për të. Në këtë rast, ai do ta kishte apeluar atë. Të afërmit e të vrarëve dhe të plagosurit kanë deklaruar tashmë se janë jashtëzakonisht të indinjuar nga ky verdikt, tregoi korrespondenti special i "Zërit të Rusisë" në Oslo Aleksei Shiriajev:

- Në Norvegji nuk ekziston dënimi me burgim të përjetshëm. Po ashtu si dhe dënimi me vdekje. Natyrisht, më të pakënaqurit nga të gjithë me këtë vendim janë të lënduarit dhe të afërmit e tyre. Më parë ata organizuan shoqatën e viktimave të sulmeve terroriste të Anders Breivik dhe kanë bërë thirrje haptazi që atë ta mbyllin në burg deri në fund të jetës. Sepse pas disa vitesh Breivik mund të lirohet dhe atëhere asgjë nuk do të kërcënojë më jetën e tij. Për më tepër, ai nuk do të dalë nga burgu i sëmurë, meqenëse kushtet e mbajtjes së të dënuarve në kë të burg janë si shumë të mira. Me këtë i lidhin shpresat mbështetësit e tij. Disa shokë të atyre që humbën jetën në ishullin e të rinjve kanë deklaruar haptazi, se ata do të hakmerren ndaj Breivik pas lirimit të tij.

Anders Breivik do të kryejë dënimin në burgun Ila. Çdo vit nga buxheti i vendit për mbajtjen e këtij burgu caktohen rreth 700 mijë euro. Sipas të dhënave të mediave, edhe pothuajse 4 milionë euro të tjera mund të shpenzohen për ndërtimin e një dege të veçantë të sigurisë maksimale në këtë burg. Vendimi për këtë do të merret së shpejti. Tani Breivik është ngujuar në një “apartament” me sipërfaqe totale prej 24 metra katrore: në të përfshihen dhoma e gjumit, kabineti i punës, ku është vendosur një kompjuter por pa akses në Internet, dhe palestra. Atribute që të kujtojnë burgun në këtë “apartament” janë vetëm këmbët e mobiljeve të salduara në dysheme. Këtu ai kaloi një vit të periudhës së paraburgimit. Dhe ky vit do t’i llogaritet atij në afatin total të burgimit.

0Gjatë gjithë kohës së zhvillimit të këtij procesi gjyqësor, autoritetet norvegjeze kanë këmbëngulur që ai të jetë i hapur për publikun. Shpallja e verdiktit, pavarësisht nga protestat e disa të afërmve të viktimave, u transmetua nga televizioni direkt nga salla e gjyqit. Për pjesëmarrje në të u akredituan rreth 500 gazetarë. Gjithsej në sallën e gjyqit ishin të pranishëm 800 persona, rreth 300 prej të cilëve të afërmit e viktimave dhe pjesëmarrësit e procesit.