0Janë njëmend filmat më të mirë, më cilësorë, më intelektualë, që të fusin në mendime, që nxisin debatin dhe përjetimin solidar. Secili nga këta filma ka marrë pjesë në ndonjë konkurs prestigjioz. Por...asnjëri prej tyre nuk është afishuar për tu shfaqur për publikun e gjerë! Për shembull, shikuesit do të shohin filmin e Pavell Ruminovit “Do jem pranë teje” - një tregim ky me ndjeshmëri të lartë mbi një grua të re, që është duke vdekur nga kanceri dhe po kërkon një familje për të birësuar vogëlushin e saj. Në program është futur edhe filmi “Shpagimi” (ose "Larja e fajit") i Aleksandër Proshkinit, ku regjisori përsiat mbi mundësinë e mbetjes së të qënurit njeri madje edhe në kushtet çnjerëzore të diktaturës, denoncimit dhe skamjes. Apo filmi “Bija” e Aleksandër Kasatkinit dhe Natali Nazarovas, i cili flet mbi intolerancën ndaj njeriut që shkon kundër rrymës (disidencës), intolerancë që çon në tragjedi... “Ne jemi mjaft të gëzuar që jemi përfshirë në programin e festivalit, - u shpreh në intervistën për “Zërin e Rusisë” Aleksandër Kasatkin. - Filmi “Bija” mori çmim për debutimin më të mirë në festivalin e njohur të filmit në Rusi “Kinotaur”, por ai në fakt, nuk ka shanse të shfaqet në ekran të gjerë!”:

-Shikuesit as që i shohin fare shumë filma, - vijon më tej Aleksandër Kasatkin. - Fjala është për mjaft filma të mirë, të cilët nuk janë paraqitur si mall, ngaqë kanë munguar paratë. Kësisoj, festivali është qoftë edhe njëlloj shansi për të të parë, për të të dëgjuar, për t’u bërë njeri publik dhe që dikujt, ndoshta, mund t’i lindë dëshira për të qenë edhe ai bashkëpjesëmarrës në atë veprimtari, që e sjell mundin tonë kolosal deri te shikuesi, të cilit i dedikohet, në fakt, gjithë vepra e kryer.

Degradimi intelektual i promovimit të filmave nuk është vetëm një problem rus, por një fatkeqësi botërore. Ekranet janë mbytur me filma horror, me filma “bombë” (blockbuster) - shembëlltyra të së ashtuquajturës “pop-kulturë” e orientuar nga zbavitja. Filmat e një niveli tjetër dhe me përmbajtje të ndryshme promovuesit, thuajse nuk i vënë re, ngaqë kanë frikë se nuk do nxjerrin fitime financiare. Por njerëzit dëshirojnë të shohin filma të vërtetë. Sallat e mbushura plot e përplot në festivalin e filmit “Premiera moskovite” dëshmojnë më së miri për këtë dëshirë.