0Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, gjë për të cilën Irani kërcënon në mënyrë të përsëritur, shoqërizohet kryesisht, me idenë e një kolapsi botëror që lidhet me naftën. Ndërkaq, për disa monarki të Gjirit Persik, sa më sipër lidhet me kërcënimin e mungesës së ujit të pijshëm. Pjesa më e madhe e ujit të pijshëm të importuar për në vendet konsumatore, si Arabia Saudite, Kuvajti, Katari, apo Emiratet e Bashkuara Arabe kalon, pikërisht, nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Gjatë luftës së parë në Gjirin Persik forcat e Sadam Huseinit dhanë goditje mbi uzinat e përpunimit të ujit të pijshëm. Tani ekziston rreziku që një gjë e tillë të ndodhë sërish, në rast të shpërthimit të konfliktit në Ngushticën e Hormuzit. Prandaj në rajon po shqyrtohet projekti i krijimit të një rrjeti unik të tubacioneve të ujit, që do të lidhë me njëra-tjetrën uzinat e përpunimit të ujit të pijshëm si dhe do të zëvendësojë, gjithashtu, rrjetet kombëtare të tubacioneve të ujit, në rast të dëmtimit të tyre.

Akoma dhe më e mprehtë paraqitet situata në Azinë Jugore dhe Azinë Juglindore: atje, disa vende, me sa duket, janë përgatitur tashmë për të zhvilluar beteja për lumenjtë. India dhe Pakistani, që kanë luftuar tre herë mesveti, kanë dalë tanimë në pragun e një konflikti të ri për resurset e ujërave. Islamabadi fajëson Delhin për “terrorizëm ujor”, pra për terje të ujërave nga ndërtimi i një hidrocentrali në lumin ndërkufitar Ind. Me fjalë të tjera, ky fajësim ka të bëjë edhe me përpjekjen për t’i hequr vendit fqinj ujin për ujitje në bujqësi dhe për të sabotuar ekonominë e tij.

Ndërkohë, Kina është gati t’i japë Indisë një përgjigje simetrike. Projektet hidroenergjitike të Kinës në lumin Brahmaputra dhe lumenj të tjerë në Tibet, kanosin të lënë pa ujë miliona fshatarë indianë. Eksperti rus Dimitri Mosjakov në intrevistën e vet dhënë “Zërit të Rusisë” vuri në dukje, se një problem analog qëndron me kohë edhe para Laosit, Kamboxhias, Vjetnamit dhe Tajlandës. Këto vende janë ndeshur me problemin e pamjaftueshmërisë së ujit prej ndërtimit të digave të hidrocentraleve të ngritur nga Kina në lumin Mekong:

- Konflikti rreth ujit të pijshëm në këto rajone, duke marrë parasysh rritjen e shpejtë të popullsisë, rritjen e ekonomisë, konsumin e ujit, po bëhet një faktor gjithnjë e më serioz në tensionimin e situatës. Me sa duket, këtu kërkohen disa përpjekje serioze ndërkombëtare për ta formatuar në njëlloj hullie të së drejtës çështjen e ndarjes dhe shfrytëzimit të resurseve ujore.

Kontinenti aziatik në 20 vjetët e fundit ka arritur një begati mbresëlënëse, ndërsa aktualisht është rajoni me zhvillimin më dinamik në botë. Kësisoj, qeveritë e shteteve të këtij rajoni janë plotësisht në gjendje të gjejnë një përgjigje adekuate edhe për këtë sfidë ndaj sigurisë dhe begatisë së vendeve aziatike.

Konstantin Garibov, Konstantin Garibov