0Kjo u bë e ditur nga mediat izraelite në prag të raundit të ri të bisedimeve për çështjen bërthamore iraniane. Sipas ekspertëve, kemi të bëjmë me një kërkesë të fshehtë drejtuar SHBA-së për rritjen e ndihmës Izraelit.

Muajt e fundit SHBA-ja me çdo mënyrë po përpiqet të frenojë retorikën luftarake të Izraelit në lidhje me Iranin. Kështu, në konferencën e tij për shtyp më 14 gusht shefi i Pentagonit Leon Panetta vuri në dukje paaftësinë e Izraelit për t’i shkaktuar humbje serioze Iranit, nëse do godiste objektet bërthamore të këtij të fundit. Amerikanët, kësisoj, dukshëm duan t’i japin akoma edhe një shans zgjidhjes diplomatike të problemit, supozon ekspertja ruse e Institutit të Studimeve Orientale Ludmilla Kuleshova:

- Amerika po përpiqet me të gjitha mënyrat për të gjetur një marrëveshje me Iranin. Aktualisht, Irani gjendet në një situatë mjaft të rëndë ekonomike dhe financiare. Për këtë arësye, ai mund të bëjë ndonjë lëshim sa i përket programit të tij bërthamor.

Ekziston edhe një pikëpamje tjetër, sipas së cilës goditja ushtarake ndaj Iranit zor se do të ekzekutohet. Në këtë përfundim ka dalë raporti i paradokohshëm i Shaj Feldmanit, një ekspert i njohur izraelit për marrëdhëniet Teheran-Uashington-Tel-Aviv. Orientialisti rus Andrei Vollodin ndan të njëjtin mendim:

- Operacioni ushtarak kundër Iranit është jashtë logjikës. Amerikës do t’i duhej të hidhte jo më pak se 1 milionë ushtarë në luftim dhe më shumë se 2000 avionë. SHBA-ja nuk i ka këto mundësi. Çdo operacion i kësaj natyre, me përjashtim të fushatës në tokë, nuk do të ketë efekt të madh. Ndërsa, një operacion i kufizuar, vetëm sa do të shpejtonte krijimin e armës bërthamore nga ana e Iranit. Por, hë për hë, nuk është marrë vendimi politik për prodhimin e saj.

Publikimi i lajmit për njëfarë marrëveshje të fshehtë nuk është përpjekje për të ushtruar presion mbi Teheranin në prag të raundit të ri të bisedimeve. Autorët e këtij njoftimi me siguri kanë menduar në mënyrë të esëllt, vijon më tej Andrei Vollodin:

- Kjo rrjedhje informacioni lidhet me presionin e qarqeve drejtuese të Izraelit mbi SHBA-në. Kemi të bëjmë me një përpjekje për të shfrytëzuar kontradiktat midis dy kandidatëve kryesorë për postin presidencial - Barack Obama-s dhe Mitt Romney-it. Izraeli llogarit që pikërisht në prag të votimit vendimtar në nëntor të mund të nxjerrë akoma edhe më tepër lëshime e përfitime si nga pala presidenciale në fuqi, ashtu edhe nga pala e republikanëve, që kërkojnë kolltukun presidencial.

Sipas këtij eksperti, kur publikimi në fjalë do të zërë vend, Izraeli do të marrë nga SHBA-ja një ndihmë edhe më të madhe ushtarake dhe financiare. Kjo nuk ka nevojë të vihet në diskutim. Deri tani, gjithë kërkesat izraelite kanë gjetur përmbushje të plotë.