0Më herët Kryeministri grek pat deklaruar, se Athinës i nevojitet si oksigjeni shtyrja e afatit për shkurtimin e deficitit buxhetor. Athina nuk po kërkon para të tjera borxh, për më tepër, pagesat në shlyerjen e të gjitha detyrimeve do të vazhdojnë. Greqia ka nevojë vetëm për të shtyrë afatet në realizimin e një ekonomie buxhetore për vitet 2014-2016, vë në dukje Samaras. Athina e ka të domosdoshme që në afate mjaft të shkurtëra kohore të ulë treguesin e deficitit të tanishëm, afërsisht nga 9% deri në 2.5 % të GDP-së. Vetëm në këtë rast Greqisë do t’i japin këstin e tretë të radhës të kredisë për shlyerjen e borxheve. Samaras ngul këmbë se brenda këtyre afateve nuk mund t’u dilet mbanë punëve. Sipas tij, në kushtet e tanishme është më e rëndësishme rritja ekonomike, ndërsa shpejtimi i shkurtimit të deficitit do të vrasë çdo mundësi për arritjen e këtij objektivi.

Ky arësyetim, me sa duket, arriti ta bindë Jean Clode Juncker. Nga ana tjetër, të premten Kryeministri Samaras duhet të takohet me Kancelaren gjermane Merkel dhe Presidentin francez Hollande. Dhe këtu mund të lindin problemet, mendon ekonomisti rus Vladimir Rozhankovskij:

- Nuk mendoj se grekëve do t’ua shtyjnë afatet. Me gjermanët do të ketë fërkime të forta: ata gjykojnë se shmangia nga detyrimet do të thotë të japësh një shembull të keq për të tjerët, sepse në këtë rast edhe spanjollët, bie fjala, do të thonë: grekët i falët, përse ne qenkemi më të këqinj vallë se ata?

Aktualisht Berlini ka bërë të ditur se fjala është vetëm për lëshime të vogla. Dhe kjo e thënë jo zyrtarisht, por nga mediat, duke iu referuar burimeve brenda Qeverisë, sipas të cilave, Athinës mund t’i shtyhet afati deri në vitin 2015. Nëse Kancelarja, gjatë bisedimeve të së premtes do të bëjë lëshime, atë nuk do ta falin zgjedhësit e saj gjermanë dhe anëtarët e partisë së saj, është i mendimit ekonomisti rus Sergei Hestanov:

- Në vendet e begata po afrohen zgjedhjet. Dhënia e kredive për Greqinë ngjall pakënaqësi midis qytetarëve të këtyre vendeve. Për këtë arësye, ka shumë të ngjarë që të ndërpritet realisht ndihma për Greqinë. Dhe sapo kjo ndihmë të ndërpritet, defollti do të shkojë me hapa mjaft të shpejtë përpara.

Sipas ekspertit, dalja e Greqisë nga eurozona do të duhej të ndodhte shumë kohë më parë. Tani politikanët europianë po e paguajnë “sa frëngu pulën” atë, që u hapën rrugë interesave të bankave, të cilat dhe janë bartëset më të mëdha të borxhit grek:

- Sa më herët të kryhet falimentimi, aq më parë do të fillojë rindërtimi i ekonomisë. Ndihma e dhënë Greqisë nuk ishte produktive. Por, përderisa nga falimentimi i Greqisë do të preken kryesisht bankat e mëdha, këto të fundit nëpërmjet politikanëve imponuan edhe këto programe të mëdha joproporcionale të ndihmës ndaj Greqisë. Ndërsa fakti, se megjithë këto programe, ekonomia greke prapëseprapë vazhdon rënien, është një argument më shumë në favor të asaj, se falimentimi është e keqja më e vogël për Greqinë.