0Raportuesi i OKB-së Ben Emmerson i bëri thirrje SHBA-së të japë ndihmën e saj në hetimin e këtyre vdekjeve monstruoze. Rusia, Kina dhe Pakistani e mbështetën iniciativën në fjalë.

Në shtatë vitet e fundit SHBA-ja ka kryer rreth 300 fluturime të avionëve pa pilotë. Si rezultat, kanë gjetur vdekjen rreth 2000 njerëz. Teknologjitë e avionëve në fjalë mundësojnë kapjen e objektivave që më parë nuk ishte e mundur, por ky rezultat arrihet me çmimin e humbjes së jetës së banorëve paqësorë, gjykon Kryeredaktori i portalit të profilizuar në Internet UAV.ru Denis Fedutinov:

- Ky aplikim kaq efektiv i dronëve ka edhe anën e vet të mbrapshtë: gjatë kohës që jepen goditjet nga ajri prej tyre jo rrallë e pësojnë civilët paqësorë. Sido që të jetë, vendimi për të qëlluar apo jo, gjithësesi, merret nga njeriu, qoftë ky piloti apo ai që komandon në distancë. Tjetër çështje është ajo, që si piloti, ashtu edhe operatori i avionit pa pilot, nuk arrijnë gjithnjë të përcaktojnë qind për qind personat atje poshtë në tokë: nëse janë terroristë apo persona të ngjashëm me ta.

Hetimi i vrasjes së civilëve paqësorë nga dronët është domosdoshmëri, por nuk ia vlen të presësh që si rezultat do ketë ndalim të përdorimit të avionëve pa pilotë për qëllime ushtarake, shprehet eksperti rus i çështjeve ushtarake Aleksandër Hramçihin:

- Dronët prandaj janë krijuar, që të kryejnë goditje më të seleksionuara sesa ato që kryen aviacioni i pilotuar. Kemi të bëjmë me një armë të një përpikmërie më të madhe. Është një armë që po zhvillohet mjaft aktivisht në gjithë botën. As që mund ta përfytyroj se mund ta kufizojnë atë, ngaqë nuk është as armë kimike apo biologjike, të cilat dukshëm janë armë barbare.

Ndërkohë, ekspertët janë të mendimit se përdorimi i avionëve pa pilotë, si mjete për zhvillimin e luftës së armatosur, duhet të gjejë zbatim në përputhje me kërkesat e të drejtës ndërkombëtare, sa i përket fushës humanitare.