0Më 22 gusht, pothuaj njëzet vjet pasi kishte filluar bisedimet për anëtarësimin në OBT, Rusia, më së fundi, u bë anëtare me të drejta të plota në këtë organizatë. Tani Moska merr mbi vete të gjitha detyrimet në kuadër të organizatës në fjalë, sikurse fiton të drejtat për të rregulluar mosmarrëveshjet tregtare. Në momentin e dhënë, në pothuaj 20 vende veprojnë më shumë se 70 masa, përfshirë ato ndaluese, sa i përket mallrave ruse. Këtu përfshihen edhe vendet e BE-së, drejt të cilave lëviz gati gjysma e eksporteve ruse. Duke filluar që nga vjeshta do të fillojë procesi i heqjes së kufizimeve përkatëse.

Nuk është më pak i rëndësishëm edhe argumenti, që Moska do të ketë mundësinë të marrë pjesë në formatimin e rregullave të tregtisë ndërkombëtare, vë në dukje ekonomisti rus Viktor Supjan:

- Marrë në një plan afatgjatë Rusia, padyshim, që është me fitim. Madje është e habitshme, që një vend i tillë gjigant, përgjatë shumë viteve, nuk ka marrë pjesë në përpunimin e rregullave të tregtisë botërore. Veç kësaj, një leverdi të padyshimtë do të nxjerrin eksportuesit rusë. Kjo i përket prodhuesve të çelikut, aluminit dhe metaleve të tjera. Në këto degë të prodhimit Rusia është një konkurrente me epërsi serioze.

Megjithatë, futja e Rusisë në OBT do të ketë edhe pasoja negative për ekonominë ruse. Ndër të tjera, do të anullohen barrierat doganore ndaj importit. Për hir të së vërtetës, Rusia gjatë procesit të bisedimeve arriti të vendosë kushte parimore në favor të mbështetjes për prodhuesit dhe mallrat ruse. Gjithashtu, Rusia arriti t’i hapë rrugën realizimit të mbështetjes nga ana e shtetit për sektorin e ekonomisë bujqësore. Sa i përket uljes së tarifave doganore, ky proces do të zhvillohet me etapa, përgjatë disa viteve. Përfitim të dukshëm do kenë edhe konsumatorët, ndërsa për prodhuesit situata duket më e vështirë. Megjithatë, marrë në tërësi, kushtet e reja në kuadër të OBT-së do të japin një efekt të shëndoshë mbi ekonominë ruse, shpreh bindjen Viktor Supjan:

- Ndërmarrjet tona do të zhyten në vorbullën e mjedisit konkurrues ndërkombëtar. Nuk është ndonjë sekret, që nëse ndërmarrjet janë të mbrojtura nga konkurrenca e huaj, atëhere ato nuk gjejnë stimuj të veçantë për t’u zhvilluar më tej, për të përmirësuar cilësisht produktin e tyre dhe për të luftuar për “pushtimin” e konsumatorit. Tani, këto kushte vihen në veprim dhe kjo gjë është mjaft e dobishme për shumë kompani ruse. Ato do të fillojnë në mënyrë më aktive të modernizojnë prodhimin e tyre.

Humbje të ndjeshme nga anëtarësimi i Rusisë në OBT, ndoshta, do të kenë prodhuesit amerikanë. Për sa kohë që Uashingtoni nuk do të anullojë amendamentin e "Jackson-Vanik" (Xhekson-Venik), në tregtinë midis Rusisë dhe SHBA-së nuk do zbatohen normat e OBT-së. Eksportuesit amerikanë kanë deklaruar tashmë, se gjithë kjo do të forcojë seriozisht pozitat e konkurrentëve të tyre nga Europa dhe Azia.