0Anijet e tyre kanë hedhur spirancën përkohësisht në bazën ushtarake të Novorossijskut pas përfundimit të stërvitjeve të grupit ushtarako-detar ndërkombëtar BLACKSEAFOR.

Në manovrat e Flotës Ruse të Detit të Zi janë përfshirë 3 luftanije, 4 anije ndihmëse, një helikopter Ka-27 (i versionit të operacioneve të kërkim-shpëtimit), një njësi speciale për luftën kundër diversantëve dhe grupi parashutist i desantit të aviacionit detar, tregon Kreu i shërbimit për shtyp të Flotës së Detit të Zi Viaçesllav Tuhaçov:

- Këto janë stërvitje të përvitshme dhe ato gjithmonë zhvillohen nën drejtimin e Komandantit të bazës ushtarake detare të Novorossijskut. Episodet kryesore të skenarit të tyre janë: kapja dhe ndalimi i anijes kundravajtëse me terroristë në bord, dhënia e ndihmës luftanijes që është dëmtuar si rezultat i granatimit të saj prej terroristëve, evakuimi i personave të plagosur nga ajri. Këto manovra mundësojnë praktikimin e veprimeve në luftën kundër terrorizmit.

Stërvitjet ushtarake “Besimi 2012” ("Trust 2012") do të zgjasin deri më 23 gusht. Ato janë bërë një farë lloj vazhdimi i manovrave anti-terroristike ndërkombëtare të forcave të bashkuara ushtarako-detare BLACKSEAFOR. Në to morrën pjesë Bullgaria, Rusia, Rumania, Turqia dhe Ukraina. Ky grup përmbush bashkëpunimin operacional që nga viti 2001, vazhdon Viaçesllav Tuhaçov:

- Lloje të ndryshme anijesh, tradita deverse detare, qasje të ndryshme në organizimin e shërbimeve në anije. Ndërkohë, duhet thënë, se ky bashkim unikal forcash plotëson, në fakt, detyrat e shtruara në mënyrë mjaft të koordinuar dhe me shumë sukses.

Novorossijsku është pika kryesore e drejtimit të stërvitjeve ushtarake detare BLACKSEAFOR të trupave të marinave të shteteve të pellgut të Detit të Zi në bregdetin rus. Në zonën e përgjegjësisë së bazës ruse është krijuar dhe funksionon në mënyrë të suksesshme qendra e përhershme koordinuese. Në vendankorimet e bazës së Novorossijskut mund të shihen shpesh herë edhe luftanije të vendeve të huaja. Atje kanë qenë tashmë marinarët e forcave ushtarake detare të Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë, Turqisë, Greqisë, Bullgarisë, Holandës, Uruguajit, Gjeorgjisë dhe Ukrainës.

0Baza detare e Novorossijskut është bashkimi më i ri i Flotës Ushtarake Detare të Rusisë. Me kalimin e çdo viti ajo vjen duke u rritur e modernizuar, duke forcuar pozitat e veta në brigjet kaukaziane të Detit të Zi. Rëndësia e kësaj baze ushtarake në Detin e Zi është evidente për Rusinë.