0Për këtë u bë e ditur në bazë të rezultateve të takimit të jashtëzakonshëm ministror, i cili u mbajt me kërkesë të Ekuadorit. Shkas për këtë shërbeu skandali diplomatik midis Britanisë së Madhe dhe Ekuadorit, i cili shpërtheu javën e kaluar pas konfirmimit nga autoritetet ekuadorase të kërkesën e Julian Assange për dhënien atij të azilit politik.

Në përgjigje të kësaj qeveria britanike deklaroi, se nuk do ta lejojë në kurrfarë mënyre themeluesin e site “ WikiLeaks” të largohet nga territori i Britanisë së Madhe. Autoritetet britanike u kërcënuan gjithashtu të marrin me sulm Ambasadën e Ekuadorit në Londër, në të cilën tashmë që prej dy muajsh ka gjetur strehim Julian Assange.

Deklarata e bërë nga autoritetet britanike e indinjoi pa masë Ekuadorin. Ministria e Punëve të Jashtme e këtij vendi ka reaguar negativisht ndaj kërcënimeve të Britanisë së Madhe, duke vënë në dukje se "epoka koloniale ka kaluar tashmë dhe se Ekuadori nuk është më koloni britanike".

Nuk është aspak e habitshme që vendet e Amerikës Latine kanë treguar një solidaritet të tillë, sidomos kur fjalë bëhet për sovranitetin, vë në dukje Presidenti i Universitetit Amerikan në Moskë Eduard Llozanskij:

- Të gjitha vendet e Amerikës së Jugut, shumë prej të cilave kanë qenë njëherë e një kohë koloni, duke përfshirë edhe Ekuadorin, sigurisht, që e kanë fort të shtrenjtë pavarësinë e tyre, gjë kjo që është mjaft e natyrshme. Fillimisht ka pasur disa deklarata goxha luftarake mbi marrjen me sulm të Ambasadës së Ekuadorit, por shumë shpejt pas kësaj Anglia hoqi dorë prej tyre, meqenëse e perceptoi fare qartë se kjo ishte shkelje flagrante e të gjitha konventave - asaj të Vjenës dhe të tjerave. Dhe sigurisht kjo do të ishte dënuar seriozisht nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Kështu që në këtë kuptim, Ekuadori ka korrur, pa dyshim, një fitore morale.

Krijuesi i site zhurmëmadh “WikiLeaks”, i cili është i specializuar në publikimin e korrespondencës diplomatike dhe materialeve inkriminuese, po përpiqet t’i shmanget ekstradimit në Suedi. Atje ai është akuzuar për krime të karakterit seksual. Assange ka frikë se atë mund ta ekstradojnë nga Suedia për në SHBA, ku ai mund të përballet me burgim të përjetshëm apo edhe me dënim me vdekje për zbulim të sekreteve shtetërore. Drejtësia amerikane beson se demaskimet publike të Julian Assange i kanë shkaktuar një dëm mjaft serioz reputacionit të SHBA në tërësi dhe personave individualë në veçanti.

Këtë javë situata e krijuar me debatin mes Ekuadorit dhe Britanisë së Madhe në lidhje me Julian Assange do të shqyrtohet nga Organizata e Shteteve Amerikane, në radhët e së cilës përfshihen tridhjetë e pesë vende të Amerikës së Jugut dhe Amerikës së Veriut. Takimi do të mbahet më 24 gusht në Uashington. Pjesëmarrjen në të e kanë refuzuar tashmë SHBA, Kanadaja, Trinidadi dhe Tobago.