0Sipas të dhënave zyrtare, niveli i papunësisë në Rusi është në masën rreth 5%. Kjo është dy herë më pak se në SHBA dhe pesë herë më pak se në Europë. Këta janë tregues të qartë të ritmit të lartë të zhvillimit të ekonomisë ruse.

Nga ana tjetër, ky fluturim i radhës duhet të përfundojë me rënie. Kështu ndodhi edhe pesë vjet më parë, kur ekonomia ruse arriti lartësi të papara, pas krizave të viteve ’90. Por kjo rënie e re, që pritet të ndodhë, nuk do të jetë katastrofike. Rusia po ecën në një rrugë të veçantë, e cila nuk futet në skemat teorike të pranuara gjerësisht, vëren Drejtori i Institutit të Politikave Sociale Sergei Smirnov:

- Ne kemi ecur drejt një rruge tjetër, nëpër rrugën e huazimit të teknologjive. Por ne kemi një problem të madh, që ka të bëjë me numrin e madh të prodhimeve tona të vjetëruara tashmë. Aktualisht ne po luftojmë me trashëgiminë e ekonomisë sovjetike: me prodhimet tona të vjetëruara, me punësimin pa kriter dhe me mosefektivitetin. Por veç kësaj, në vitet ’90, kur filluan përpjekjet e para për ristrukturimin e ekonomisë ruse, kur mediat parathonin turbullira shpërthyese sociale, situata gjithësesi, në një farë mënyre precipitoi. Nuk përjetuam asnjëherë ndonjë rritje galopante të papunësisë, madje edhe në kohërat më të këqija.

Në të ardhmen më të afërt Rusia kërcënohet nga një krizë serioze e nevojës për specialistë në fushën e prodhimit, parashikon Shefi i Departamentit të Studimeve Socialo-Politike të VCIOM Stepan Lvov. Profesionet nga fusha e prodhimit industrial, apo zanatet e ndryshme nuk gëzojnë popullaritet midis rinisë bashkëkohore ruse:

- Uria për specialistë është bërë fort e ndjeshme sot, kryesisht në fushën e industrisë. Mund të thuhet, se kemi mungesë të fuqisë punëtore, të punëtorëve me kualifikim të lartë, të drejtuesve, inxhinierëve të hallkës së mesme, të njerëzve që janë të lidhur direkt me prodhimin. Shtresa e këtyre njerëzve, ajo rezervë e akumuluar në kohërat sovjetike, e ka konsumuar tashmë veten. Duhet menduar se si të akumulojmë rezerva të fuqisë punëtore pikërisht në fushën e industrisë.

Defiçiti i punëtorëve specialistë mund të arrijë pikun e vet në vitet e afërta në vijim. Punëdhënësit në vend po pranojnë me kënaqësi në punën prodhuese specialistë me kualifikim të lartë nga jashtë shtetit. Në Rusi po vijnë për të fituar ndonjë vend punë me qindra mijëra shtetas nga vendet e ish-Bashkimit Sovjetik. Ekspertët nuk përjashtojnë mundësinë, që ky fluks i migracionit ekonomik të plotësohet edhe me europianë, që kanë humbur vendet e punës si pasojë e krizës.