0Botimi gjerman "Der Tagesspiegel" përshkruan një fakt mjaft shqetësues. Në SHBA, shumë kompani, më saktë departamentet e burimeve njerëzore, i verifikojnë pretendentët për punësim, nëse ata janë të pranishëm në faqet e Facebook. Dhe nëse ky person nuk ka atje akauntin e vet, atij thjesht mund t’i mohohet marrja në punë. Në sytë e punëdhënësit ai shfaqet kësisoj: i rezervuar dhe i pashoqërueshëm. Specialisti i Qendrës Shkencore Kombëtare ruse të Narkologjisë pranë Ministrisë së Shëndetësisë Nikollai Tumanov nuk është i të njëjtit mendim:

- Në parim, faqja në Facebook dikujt mund të mos i duhet fare. Domethënë, dikujt thjesht nuk i hyn në punë, ngaqë preferon shoqërimin me të tjerët jo virtualisht, por sy më sy. Rrjetet virtuale sociale përbëjnë një format shoqërimi mjaft specifik dhe çdo njeri e zgjedh vetë se në ç’mënyrë dëshiron të shoqërohet.

Ai njeri që nuk ka akauntin e vet në rrjetet sociale nuk është normal. Kjo është deklarata e bërë paradokohe nga psikologu gjerman Kristof Myler. Hipotezën e tij ky ekspert e ndërtoi duke marrë si shembull vrasësin norvegjez në masë Anders Brejvik dhe “pushkatarin e Kolorados” Xhejms Holms, të cilët, gjoja, nuk ishin regjistruar në asnjë prej shërbimeve të rrjeteve sociale. Sipas Kristof Myler, mungesa e profilit në Facebook shërben si supozim mbi karakterin asocial të vetë personit. Nikollai Tumanov është kategorikisht kundër këtij parashtrimi, interpretimi.

- A e kuptoni, se ai që nuk preferon këtë formë shoqërimi, nuk do të thotë se është bërë ndërkaq automatikisht anormal! Nëse njeriu nuk është i aftë të shoqërohet me njerëz për së gjalli, por gjithë komunikimin me të tjerët e bën në mënyrë elektronike, unë do të thosha, se kjo sjellje paraqet më shumë rrezik. Sepse është tepër e vështirë të zëvendësosh shoqërimin për së gjalli. Ky shoqërim është i domosdoshëm për njeriun, ngaqë njeriu sidoqoftë është qënie sociale, thellësisht sociale madje.

Nikollai Tumanov nënvizon gjithashtu, se rrjetet sociale përbëjnë sot një fenomen të verbër me përmasa globale dhe mbi pasojat e përfshirjes në to do të mund të gjykohet vetëm pas 20-30 vjetësh. Veç kësaj, njihen raste kur rrjetet sociale shfrytëzohen në mënyrë aktive nga shërbimet speciale të shteteve të ndryshme për të nxjerrë të dhëna mbi qytetarët. Prandaj ia vlen që pjesëmarrja në rrjetet sociale të bëhet me kujdes të veçantë.