0Që nga nata e kaluar policët britanikë janë vendosur në godinën, në katin e dytë të së cilës ndodhet Ambasada e Ekuadorit. Në territorin e vetë misionit diplomatik forcat e sigurisë nuk kanë depërtuar akoma, por të gjitha hyrjet dhe daljet e tij janë bllokuar ndërkohë. Kështu që themeluesi i faqes zhurmëmadhe “WikiLeaks” Julian Assange nuk do të mund të largohet pa u vënë re nga Ambasada e Ekuadorit që e strehoi atë. Por edhe qëndrimi i tij kohëgjatë brenda saj, duke gjykuar nga të gjitha, do të jetë i pamundur. Nëse përfaqësuesit e Ambasadës së Ekuadorit nuk do ta dorëzojnë vullnetarisht atë, atëhere misioni diplomatik do të merret me sulm nga policia, paralajmëruan autoritetet britanike.

Ndërkohë, neni 22 i Konventës së Vjenës mbi Marrëdhëniet Diplomatike të Shteteve thotë, se objektet e misioneve diplomatike janë të paprekshme. Por autoritetet britanike i mbështesin shpresat te ligji i vendit të tyre mbi misionet diplomatike, të miratuar në vitin 1987. Sipas tij, policia mund të hyjë në ambientet e ambasadës, nëse kjo e fundit i përdor ato në mënyrë të paautorizuar, jo ligjore. Nga pikëpamja e Londrës, Ekuadori nuk ka të drejtë të strehojë Julian Assange, të cilin britanikët kanë rënë dakord t’ia dorëzojnë Suedisë, ku atij i inkriminohen vepra penale të karakterit seksual (përdhunim). Nga ana e vet Assange deklaron, se çështja penale e ngritur kundër tij për përdhunim është fund e krye trillim. Dhe se në realitet fjalë bëhet për një marrëveshje të fshehtë të disa vendeve me SHBA-të, të cilat e akuzojnë Julian Assange për spiunazh për shkak të publikimit në Internet të dokumenteve të klasifikuara.

Nga preokupimi për sigurinë e jetës së vet në qershor të këtij viti Julian Assange ka kërkuar azil politik në Ekuador. Dhe kërcënimin e autoriteteve britanike për të arritur arrestimin me forcë të Julian Assange Ekuadori e percepton si një gjest armiqësor dhe të paligjshëm, tha Ambasadori i Ekuadorit në Rusi Patricio Alberto Chávez Savaga.

- Ekuadori synon ta vlerësojë këtë si një gjest armiqësor, agresiv dhe të palejueshëm. Ky është demonstrim i mungesës së respektit ndaj sovranitetit tonë. Sigurisht, ne do t’i japim kësaj një përgjigje të rreptë. Ky është një precedent shumë i rrezikshëm që i hap derën “fyerjes së rëndë, abuzimit me hapësirën diplomatike”.

Ndërkohë, Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme britanike deklaroi përpara gazetarëve se marrja e dhunshme e Ambasadës së Ekuadorit mund të ndodhë javën e ardhshme. Edhe pse autoritetet britanike kanë shprehur shpresën për zgjidhjen e kësaj çështjeje në mënyrë miqësore, me anë të mirëkuptimit reciprok.

Siç sapo u bë e ditur, autoritetet e Ekuadorit vendosën t'i japin azil politik themeluesit të site zhurmëmadh “WikiLeaks” Julian Assange, njoftoi të enjten Ministri i Jashtëm i Ekuadorit Rikardo Patiño.

"Qeveria mori në konsideratë të gjitha faktet dhe argumentet e paraqitura nga Julian Assange. Ai mund të jetë një viktimë e persekutimit politik", - tha Ministri.