0Provincat në fjalë lidhen me Taxhikistanin me anë të një ure automobilistike, që bashkon dy brigjet e lumit Pjanxh. Ajo është ndërtuar posaçërisht për transportin e NATO-s. Qeveria e SHBA-së investoi në këtë projekt më shumë se 36 milionë dollarë. Por tani këtë urë po e shfrytëzojnë edhe trafikantët e narkotikëve, midis të cilëve jo rrallë hasen edhe krerë të botës së drogës. Pikërisht, ata merren me këmbimin e heroinës me armë në kufijtë e Taxhikistanit për llogari të “Al-Qaeda-s”, “Talebanit” dhe organizatave terroriste lokale. Ndërsa, ushtarakët, në parim, nuk përzihen në punët e popullatës së vendit.

Me njërin sy qorr e tjetrin vesh shurdh të NATO-s, Taxhikistani fqinj është shndërruar në një bazë transporti të narkotrafikut afgan dhe kontrabandës së armëve. Nga kjo ish-republikë sovjetike narkotikët marrin udhët e gjithë botës, përfshirë Rusinë dhe Europën Perëndimore. Ndërkaq, ushtarët e Bundesverit injorojnë me ndërgjegje të plotë ato detyra të drejtpërdrejta që kanë për të zbatuar, është i mendimit eksperti i Qendrës ruse të Studimeve Bashkëkohore të Afanistanit Nikita Mendkoviç:

- Kontigjenti gjerman faktikisht po injoron vendimin e samitit të NATO-s, mbajtur në Budapest në vitin 2008, mbi pjesëmarrjen e kësaj organizate në luftën kundër drogës në Afganistan. Është e vërtetë, që kjo Rezolutë nuk sanksionon likuidimin e fushave me boçet e lulekuqeve të opiumit, pasi kjo është detyrë e policisë afgane. Por forcat ushtarake ndërkombëtare kanë marrë mbi vete përgjegjësinë e funksioneve për të zbuluar trafikun e narkotikëve dhe për të luftuar kundër laboratorëve të përpunimit të lëndëve narkotike. Por kontigjenti gjerman është në një pozitë mjaft pasive. Hovi që ka marrë trafiku i narkotikëve në Afganistan mund të shpjegohet me faktin, se organet e pushtetit shtetëror të këtij vendi janë mjaft të dobëta, kurse trafiku i drogës është veprimtaria bazë e opozitës së armatosur, ekstremistëve islamikë radikalë, përfshirë lëvizjen “Taleban”. Është pikërisht kjo arësyeja, që ky biznes është përhapur në një masë mjaft të gjerë dhe është e vërtetë, që më së shumti, lufta kundër terrorizmit dhe narkotrafikut duhet të jenë të lidhura tejet ngushtë me njëra tjetrën, gjë që me sa duket, nuk kuptohet nga disa ushtarakë europianë.

Ky ekspert është i bindur, se pas largimit të forcave të koalicionit ndërkombëtar nga Afganistani më 2014, situata vetëm sa do të përkeqësohet. Me kalimin e kohës, do të shfaqen korridore të reja për kontrabandën e narkotikëve me destinacion Perëndimin. Ndërprerja e gjithë këtij fluksi është e mundur vetëm me anë të reformave kardinale ekonomike, kur dihet, se hë për hë, kultivimi dhe trafikimi i narkotikëve janë, ndoshta, e vetmja mënyrë fitimi për banorët vendas.