0Nëndetësja shumëfunksionale ruse e projektit 971 “Shuka-B” (russ."Щука-Б") (sipas klasifikimit të NATO-s -“Akulla” ("Peshkaqeni") për disa javë me radhë, gjatë muajve qershor-korrik të vitit në vazhdim, patrulloi përgjatë brigjeve amerikane. Satelitët amerikanë dhe sensorët hidro-akustikë nuk kanë mundur të interceptojnë vendndodhjen e saj drejtpërsëdrejtë përkundruall brigjeve të SHBA-së. Nëndetësja u pikas vetëm tek largohej duke u treguar “bishtin” amerikanëve.

Kësisoj, ushtarakët rusë, pa shkelur rregullat e ligjeve ndërkombëtare dhe sovranitetin territorial të shtetit tjetër, arritën të zgjidhnin njëherësh disa detyra taktike dhe strategjike. Së pari, ekuipazhi i realizoi manovrat mësimore me sukses. Së dyti, ushtarakët rusë morrën të dhënat mbi lëvizjet e nëndetëseve amerikane në rajonin e dhënë si dhe të anijeve mbi ujë. Veç kësaj, Rusia i demonstroi në mënyrë të qartë SHBA-së, se nuk ekziston aktualisht ndonjë sistem sigurie absolutisht i sigurtë, thekson analisti politik rus Vladimir Evsejev:

- Ky është një mësim i mirë evident për Uashingtonin, se nuk duhet t’i imponosh me anë të forcës politikën tënde të jashtme gjithë botës. Sepse edhe shtetet e tjera zotërojnë mundësi të caktuara ushtarake. SHBA-të duhet të perceptojnë pikat e veta të dobëta, përfshirë edhe ç’i përket sistemit të Mbrojtjes Antiraket: ky sistem është thellësisht joefektiv kundër raketave kruz, që mund të fluturojnë në lartësi të ulëta. Gjithashtu, nëndetëset bërthamore mbartin në bord raketa kruz, që nuk mund të interceptohen me pajisje të zakonshme për t’i bërë ballë sulmit të objekteve balistike. Ato tregojnë qartë se nuk ekziston ndonjë sistem ideal i Mbrojtjes Antiraket. Dhe nga ky këndvështrim bie ai mit, se SHBA-ja është e paprekshme, e pandëshkueshme, mit i cili çon në zhvillimin e një politike ndërkombëtare, ku është e lejueshme gjithçka me dorë të lirë.

Ndërsa specialistët ushtarakë rusë përgëzojnë njëri-tjetrin për këtë inkursion plot sukses, në SHBA, përkundrazi, paaftësia për të pikasur nëndetësen ka ngjallur shqetësim në qarqet ushtarake. Nuk ka patur deri tani komente zyrtare nga ana e autoriteteve amerikane apo ushtarakët e këtij vendi.

Nëndetësja “Shuka-B” është tipi-bazë i nëndetëseve shumëfunksionale në përbërje të Flotës Ushtarake Detare të Rusisë. Kjo nëndetëse shquhet për një nivel shumë të lartë padukshmërie. Janë prodhuar, gjithsej, 15 nëndetëse të tilla dhe njëra sosh i është dhënë Indisë.