0Sipas të dhënave të fundit të sondazheve, vetëm 35% e britanikëve mbështet anëtarësimin e vendit të tyre në BE. Parlamenti britanik ka dalë tashmë me iniciativën për të zhvilluar një votim mbarëpopullor për këtë çështje, por David Cameron arriti të shtyjë afatet e referendumit për një kohë të papërcaktuar. Sakaq Tony Blair mendon se ky votim herët a vonë, gjithësesi, do të mbahet. Veçanërisht prej faktit se Brukseli çdo vit që kalon po luan një rol gjithnjë e më të madh në Europë, por kjo mund të bjerë në kundërshti me parimet demokratike dhe me interesat kombëtare të vendeve të veçanta të BE-së, përfshirë këtu edhe Anglinë.

Sipas mendimit të Kryetarit të Këshillit Vëzhgues të Bankës ruse VTB Sergei Dubinin, në të vërtetë, më shumë se gjithçka tjetër britanikët po i shqetëson ajo, që Brukseli po përpiqet t’i imponojë Londrës rregullat e veta në fushën financiare:

- Mendoj se për Anglinë do të ishte më me leverdi të gjendej në BE, por autoritetet britanike, para së gjithash, po përpiqen të qëndrojnë në pozitat e tyre të mëparshme udhëheqëse, duke i ruajtur vendit rolin e një prej qendrave globale financiare. Dhe përpjekjet për të ndërhyrë në këtë fushë, shkaktojnë ndjeshmëri, pakënaqësi mjaft të madhe në Londër.

Në BE përkatësisht deklaratave të Tony Blair nuk kanë bërë kurrëfarë komentesh. Sipas të gjitha gjasave, tani, euroburokratëve u mjaftojnë kokëçarjet e tjera: në qarqet e biznesit sërish qarkullojnë fjalë se në Bruksel po përgatiten me gjithsej për daljen e Greqisë nga eurozona. Vetë grekët, nga ana e tyre, nuk kanë ndërmend të rikthehen tek dhrahmia. Por, për këtë çështje, është plotësisht e mundur që mendimin e Athinës të mos e marrë askush në konsideratë. Këto ditë ish Kreu i Bankës Qendrore Europiane Otmar Issinger la të kuptojë se disa vende, ka të ngjarë, të dëbohen faktikisht nga eurozona. Deri më tani ishte menduar se braktisja e eurozonës mund të kryhej nga një vend, vetëm nëse kjo do të ishte dëshira e tij. Meqë erdhi fjala, një dëshirë të tillë mund të shfaqë Gjermania, gjykojnë një sërë ekspertësh. Analistët mendojnë, se Berlini mund ta ndërmarrë këtë hap për shkaqe të natyrës materiale: ngaqë, hë për hë, është Gjermania ajo që po e mban mbi shpatullat e veta gjithë barrën e krizës. Veç kësaj, sondazhet tregojnë se rreth 40% e gjermanëve janë pro heqjes dorë nga monedha euro e për rikthimin te marka. Përndryshe, shumica e ekspertëve konsiderojnë se ky skenar ka pak të ngjarë të gjejë mishërim në jetë, sepse pikërisht për shkak të valutës së njësuar europiane ekonomia gjermane është më e fuqishmja në eurozonë. Ja komenti i ekspertes ruse Aleksandra Llozovaja:

- Potenciali ekonomik dhe forca e Gjermanisë e dhjetë viteve të fundit janë rezultat i emetimit të valutës së njësuar europiane. Pikërisht Gjermania ka dalë me leverdi më shumë se gjithkush tjetër nga tregu i lirë i punës dhe qarkullimi i mallrave brenda eurozonës  Prandaj, varianti i daljes së Gjermanisë nga eurozona, në thelb, do të thotë shpërbërje e eurozonës dhe mundësinë e këtij zhvillimi, sigurisht, që e konsideroj si shumë pak të besueshme.

Si do që të zhvillohet situata në Europë, ekspertët janë për një gjë në të njëjtën mendje: kriza financiare në rajon do të sjellë ndryshimet e veta si në përbërjen e pjesëmarrësve të eurozonës, ashtu edhe në strukturën e BE-së, marrë në tërësi. Do të mbetet a jo Anglia në BE, apo Gjermania dhe Greqia në eurozonë, këtë do ta tregojë koha.