0Vitin e kaluar krijimi i një zone të tillë mbi qiellin e Libisë çoi, si përfundim, në përmbysjen e qeverisë libiane. Diçka e ngjashme mund të përsëritet sërish në Siri, thotë eksperti rus Azhdar Kurtov:

- Natyrisht, në këtë rast, të vjen ndërmend analogjia në mes të vendimit të imponuar për vendosjen e zonës së ndaluar për fluturime mbi Libi dhe propozimit të ngjashëm, të bërë nga amerikanët, për aplikimin e saj ndaj Sirisë. Sigurisht, vendosja e zonës së ndaluar për fluturime në rastin konkret do të ndihmojë vetëm për përgatitjen e terrenit për agresionin tokësor, që tashmë po shqyrtohet në lidhje me operacionet ushtarake, në të cilat përfshihet teknika e rëndë luftarake në kufi - si në atë verior turko-sirian, ashtu dhe në zonën kufitare jugore siriano-jordaneze.

Në prag në kufirin siriano-jordanez ndodhi një përplasje në mes të ushtarakëve të dy vendeve. Gjatë saj u vu në përdorim teknika e blinduar. Për më tepër, incidenti ka ndodhur pikërisht në atë rajon të kufirit, nëpërmjet të cilit sirianët marrin arratinë në vendin fqinj për t'i shpëtuar zjarrit të luftës. Sipas të dhënave të përafërta, në Jordani ndodhen tashmë rreth 150.000 refugjatë sirianë.

Jordania tani për tani zë një pozitë më të matur, më të moderuar në konfliktin sirian se sa, për shembull, Turqia fqinje dhe një sërë vendesh të Gjirit Persik. Përkeqësimi i marrëdhënieve midis Amanit dhe Damaskut do të ndikojë negativisht, para së gjithash, në gjendjen e refugjatëve sirianë. Dhe do t’i japë gjithashtu mbështetësve të përmbysjes së Bashar Al-Assadit argumente suplementare në favor të shtrëngimit të masave ndaj Sirisë.

Ngjarjet dramatike në Siri, ndoshta, më tepër se çdokënd tjetër kanë prekur Libanin. Ja se çfarë deklaroi ish Presidenti libanez Emile Lahoud për Radiokompaninë "Zëri i Rusisë":

- Kriza në Siri po vazhdon që prej një viti e gjysmë, por qeveria vazhdon të mbajë pushtetin në duart e veta. Kurse kjo sugjeron se ajo përkrahet nga një pjesë shumë e konsiderueshme e popullsisë së vendit. Opozitën siriane e ndihmojnë nga jashtë edhe me armë, edhe me teknologji nga më të fundit, në anën e saj janë një sërë mediash të vendeve të Evropës Perëndimore dhe arabe, por të gjitha këto janë më kot. Arsyeja - shumë njerëz në Siri mbështesin Presidentin e vet. Nëse do të bjerë qeveria siriane, atëhere vendi do të shpërbëhet. Rajoni, në radhë të parë Libani, do të përfshihen nga kaosi i plotë.

0Emërimi i Emisarit të ri Special të OKB-së dhe Lidhjes së Shteteve Arabe, në vend të Kofi Annan-it që dha dorëheqjen pak kohë më parë, natyrisht, do të mund të parandalonte përshkallëzimin e mëtejshëm të krizës rreth Sirisë. Kërkimi i pasuesit të tij po zvarritet në mënyrë evidente dhe, duket fare qartë, jo pa pjesëmarrjen e atyre forcave në Perëndim, të cilat që kur ishte Kofi Annan në detyrën e të Dërguarit të Posaçëm të OKB-së, dilnin mjaft aktivisht për eliminimin e këtij posti si dhe për pezullimin e veprimtarisë së Misionit të Vëzhguesve të OKB-së në Siri. Nëse këto forca tani do të triumfojnë, atëhere do të jetë i pashmangshëm përkeqësimi i luftës civile në këtë vend.