0Gjatë dy ditëve dhjetëra mijëra vizitorë mundën të shihnin në tokë dhe ajër avionët historikë të kohërave të shkuara dhe avionët e fuqishëm ushtarakë bashkëkohorë, që sot janë në përbërje të FUA-s së Rusisë. Aviacioni ushtarak rus për një shekull të tërë ka përshkuar një rrugë të gjatë dhe të vështirë dhe për hir të së vërtetës Rusia sot llogaritet si një fuqi e madhe e aviacionit në botë. Gjithçka pati filluar me fluturimet e para me avionë të prodhimit të huaj, vë në dukje historiani rus i aviacionit Georgi Kumanjov:

- Kur në Rusi u vunë në funksionim uzinat e para të konstruktimit të avionëve, kohët e para u ndërtuan vetëm modele të huaja, të tilla si “Farman”, “Duks” etj. Në atë periudhë, kur ndërtimi i avionëve ishte i lidhur me dublimin e modeleve të huaja, lindi problemi i nevojës së përdorimit të avionëve edhe për qëllime ushtarake.

Dalja në skenë e aviacionit solli korrektime serioze në ecurinë e Luftës së Parë Botërore. Shumë shpejt u morr vendimi mbi atë, se avionët duheshin shfrytëzuar edhe për operacionet luftarake, vëren Kryeredaktori i i revistës “Mbrojtja kombëtare” (russ. "Национальная оборона") Igor Korotçenko:

- Kjo çështje prekte edhe zbulimin ushtarak, edhe mitralimin nga ajri, edhe bombardimin e pozicioneve të armikut dhe, më e rëndësishmja, zhvillimin e luftës në ajër. Sa për kujtesë, aviatorët e parë rusë u mbuluan me lavdi të paparë në frontet e Luftës së Parë Botërore. Sjellim ndërmend bombarduesit tanë të parë “Ilia Muromec” ("Илья Муромец"), të cilët asokohe ishin një mjet i pazëvendësueshëm për dhënien e goditjeve mbi qytetet dhe pozicionet e trupave të kundërshtarit.

Në historinë e FUA-s një vend të veçantë zë edhe lufta e BRSS-së me Gjermaninë fashiste. Për pothuaj katër vjet pilotët sovjetikë gjatë betejave të ashpra arritën të shpartallonin forcat ajrore gjermane, ndonëse fillimi i luftës ishte tragjik. Humbja që pësoi aviacioni sovjetik në krye të herës, ishte për nga përmasat e veta e llahtarshme. Megjithatë, pas shpartallimit të gjermanëve në betejën pranë Moskës dhe në atë të Stalingradit, e cila shërbeu si fillim i kthesës rrënjësore në fatin e mëtejshëm të luftës, situata e luftimit në ajër nisi të ndryshonte. Në vitin 1943 mbizotërimi strategjik në ajër kaloi në anën e FUA-s sovjetike. Avionë të rinj të mrekullueshëm - gjuajtësit "La-5" (russ. "Ля-5"), Jak-3 (russ. "Як-3"), Il-2 (russ. "Ил-2") i modifikuar, morrën mbi vete barrën e luftës në ajër. Pas lufte FUA sovjetike nisi të pajisej me aeroplanë reaktivë. Që në prill të vitit 1946 u zhvilluan provat e gjuajtësve të parë Jak-15 (russ. "Як-15") dhe "MiG-9" ("МиГ-9") me motorë reaktivë për avionë. Shpejt ato hynë në përbërje të FUA-s dhe aviacionit gjuajtës të Mbrojtjes Kundërajrore. Në periudhën post-sovjetike zhvillimi i FUA-s pësoi ndryshime serioze, shprehet Igor Korotçenko:

- Aktualisht po krijohen qendra të fuqishme mësimore shkencoro-ushtarake, ku janë siguruar kushte të shkëlqyera për përgatitjen e inxhinierëve të aviacionit të destinuar tashmë për erën e re të aviacionit rus. Sipas programit shtetëror të armatimit është parashikuar që deri në vitin 2020 të blihen 1.200 helikopterë të tipeve të ndryshëm dhe më shumë se 500 avionë ushtarakë.