0Lufta e konkurrencës për ndikim në Arktik, veçanërisht në lidhje me ngrohjen që ka filluar në këto gjerësi gjeografike, është tensionuar ndjeshëm kohët e fundit. Sot pesë shtete të rajonit të Arktikut - Rusia, Danimarka, Kanadaja, Norvegjia dhe SHBA-ja - po rivalizojnë për të shtënë në dorë burimet e atjeshme natyrore. Rezervat e hidrokarbureve në Arktik vlerësohen të jenë sa 1/4 e gjithë rezervave botërore të pashfrytëzuara ende. Nevojitet forca adekuate ushtarake, e aftë t’i kundërpërgjigjet çdo përpjekjeje që potencialisht do të ndante begatitë e Arktikut me anë të luftës, gjykon analisti politik Konstatin Sivkov:

- Beteja për vendburimet e hidrokarbureve në Arktik që tani është duke u zhvilluar në mënyrë mjaft aktive. Gjithashtu, akuatori i Arktikut, përfshirë edhe Udhën Detare të Veriut, është rruga më e shkurtër e komunikacionit detar që lidh Europën me Lindjen. Në kushtet kur qendra ekonomike e zhvillimit ekonomik po zhvendoset nga Europa në rajonin aziatik dhe në atë të Oqeanit Paqësor, rëndësia e kësaj udhe sa vjen e rritet. Veçanërisht, kur bëhet fjalë për ngrohjen globale, e cila e çliron nga akujt Udhën Detare të Veriut. Dhe kush do kontrollojë komunikacionin në fjalë, ai edhe do të ushtrojë një ndikim të rëndësishëm në rrjedhat e transportit global. Prandaj, aktualisht, kemi një betejë mjaft të ashpër.

Vlen të përmendet fakti, se nuk ishte Rusia vendi i parë që shpalli krijimin e bazave ushtarake në Arktik. Në fillim të këtij viti Kanadaja shpalli synimet e saj për të ndërtuar një bazë arktike në ishullin Cornwallis. Edhe Danimarka po përgatitet të përforcojë praninë e saj ushtarake në Oqeanin e Ngrirë të Veriut. Që në vitin 2009 ky shtet deklaroi krijimin e një njësie të veçantë ushtarake të Arktikut si dhe të forcave të ndërhyrjes së shpejtë për këtë zonë. Një vit më pas ishte Norvegjia ajo që e transferoi komandën e saj ushtarake për në Rrethin Polar, ndërsa SHBA-ja dhe Kanadaja filluan të zhvillojnë në Arktik manovra ushtarake në mënyrë të rregullt.

Çështja qëndron në atë, se në rajon kryqëzohen jo vetëm interesat ekonomike, por edhe interesat gjeopolitike të vendeve të ndryshme. Arktiku është rruga më e shkurtër në itinerarin Rusi-Amerika e Veriut jo vetëm për anijet transportuese të mallrave, por edhe për aviacionin strategjik dhe raketat balistike ndërkontinentale, vëren Konstantin Sivkov:

- Mundësia e instalimit të sistemeve të fuqishme të mbrojtjes antiraketë në këtë rajon, apo e bazave të nëndetëseve atomike me raketa balistike do të ketë rëndësi veçanërisht të madhe për të gjithë lojtarët globalë të botës. Sipas të dhënave të mia, nëndetëset amerikane, duke filluar që nga vitet ’90, patrullojnë vazhdimisht ujërat e akuatorit të Arktikut, përfshirë edhe Detin Barenc.

Sa i përket dislokimit të bazave ushtarake ruse, ato mund të shfaqen në ishullin Dikson në Detin e Karskut, si edhe në deltat e lumenjve Enisei dhe Lena. Në ushtrinë ruse janë duke u formuar gjithashtu brigadat e Arktikut, që do mund të zhvillojnë veprime luftarake në kushte tejet të ashpra atmosferike dhe klimaterike.