0Kundërshtarët politikë dhe gazetarët opozitarë e kanë fajësuar Presidentin, jo një herë, për krijimin e një sistemi diktatorial në drejtimin e shtetit, për presion ndaj opozitës dhe përdorimin e aparatit represiv në drejtësi në favor të betejës politike.

Në këto fajësime një rol të madh luan edhe biografia thellësisht shumëdimensionale e vetë Traian Basheskut, të cilin janë të shumtë ata që e konsiderojnë si një bashkëpunëtor të shërbimeve speciale të Nikollaj Çausheskut.

Ish-Kreu i administratës së Presidentit amerikan Klinton John D. Podesta mendon, se Traian Bashesku është “një ish-kapiten anije, që ka bashkëpunuar me Sekuritaten deri në revolucionin e vitit 1989”. Nuk ka bazë të mendohet, se zyrtari amerikan në fjalë është i keqinformuar për biografinë e Presidentit rumun të liruar nga detyra, veçanërisht kur merret parasysh partneriteti strategjik i vendosur midis Rumanisë dhe SHBA-së në periudhën e qeverisjes së Presidentit Klinton. Mënyra se si Traian Bashesku përdor gjykatat dhe prokurorinë, për të penguar veprimtarinë e oponentëve të tij, është një argument më shumë që i jep të drejtë pohimit të John D. Podesta-s.

Ato që kanë ndodhur gjatë mandatit të fundit të Presidentit Bashesku shërbejnë si bazë për të gjykuar, se Rumania është drejtuar nga një juntë ushtarake. Për një periudhë fare të shkurtër, shumë zyrtarë në poste kyçe, biznesmenë e gazetarë janë përfshirë në një sistem paralel të drejtimit të shtetit. Ky proces është zhvilluar si vijon: nëse zyrtari, biznesmeni, apo gazetari vërtetonin besnikërinë e tyre ndaj interesave të Traian Basheskut, atij i jepnin gradën e kolonelit, ndonëse mund të mos kishte shërbyer kurrë në ushtri, sikurse merrte, gjithashtu, mbështetje të gjithëfarllojshme. Ndaj politikanëve opozitarë, biznesmenëve dhe gazetarëve, përkundrazi ushtrohej obstruksioni (vendosja e barrierave). Ndërsa politikanët, biznesmenët dhe gazetarët që gdhiheshin befas kolonelë, thirreshin sakaq në opinion “kolonelët e Basheskut”.

Si përfundim, në Rumaninë “demokratike”, mediat propresidenciale i drejtojnë “kolonelët e Basheskut”, Drejtor të Bankës Qendrore të vendit kemi një “kolonel”, drejtuesit e pushtetit ekzekutiv në provinca gati të gjithë janë “kolonelë”, edhe prokurori i Përgjithshëm është “kolonel”. Ndërkohë që kriza politike sa vjen e tensionohet, ndikimi i këtij pushteti paralel, të injektuar në të gjitha strukturat e shtetit, po bëhet gjithnjë e më i dukshëm. Lind një pyetje e natyrshme: për ç’qëllim u krijuan struktura të tilla?

Nëse Traian Bashesku njëmend ka “punuar për Sekuritaten”, atëherë përgjigja është e qartë. Kjo shpjegon edhe reagimin agresiv të Presidentit të liruar nga detyra ndaj kritikës së mediave në adresë të tij. Në këtë kontekst bëhet e kuptueshme edhe bindja e një pjese të mediave rumune dhe e Basheskut vetë, se është pikërisht “Zëri i Rusisë” ai që “përhap instruksionet” për politikanët opozitarë dhe për gazetarët. Meqë erdhi fjala, Çaushesku, në ditët e tij të fundit, besonte se qindra mijëra demonstrues të uritur para Pallatit të tij, ishin, gjithashtu, agjentë dhe diversantë të shërbimeve të huaja speciale.