Madonna vijon turneun e nëntë të saj të radhës përreth botës në mbështetje të albumit të vet të ri MDNA. Ndërkaq, siç doli në dritë, jo vetëm në mbështetje të këtij albumi. Në prag të shfaqjes në Moskë u përhap lajmi se Madona nuk do ta lërë jashtë vëmendjes së saj grupin pank “Pussy Riot”, pjesëmarrëset e të cilit ndodhen nën hetim.

Show i Madonna në Moskë: politika si trend muzikor

Këngëtarja, në të vërtetë, vazhdoi atë që kishin filluar kolegët e saj perëndimorë të zanatit në mbështetje të tre aktivisteve të lëvizjes. Më parë, kështu vepruan Sting, muzikantët e grupit Red Hot Chili Peppers, Patti Smit etj. Madonna, nga ana e saj, përmendi emër për emër pjesëmarrëset e grupit skandaloz:

- Jam shumë e lumtur që erdha nga Amerika, ku jemi të lirë për të shprehur mendimet dhe emocionet tona. Si artiste, si grua, si njeri po shpreh pikëpamjen time, edhe pse njerëz të tjerë nuk bien dakort me mua. Dua të them disa fjalë për Pussy Riot. E di që kjo histori nuk është e thjeshtë dhe ka shumë qasje. Por mendoj, se këto tre vajza, Masha, Katja dhe Nadja, kanë bërë diçka mjaft të guximshme dhe e kanë paguar tashmë këtë veprim të vetin. Unë lutem për lirimin e tyre.

Gjatë kohës që performonte në skenë, Madonna zveshi bluzën dhe u kthye me shpinë nga shikuesit, ku këta të fundit panë të shkruar qartazi dhe me ngjyrë të zezë: “Pusy Riot”. Madonna e kishte të mbuluar kokën me maskë, të ngjashme me ato, kur vajzat kishin performuar gjatë kohës së ceremonialit kishtar alla pank.

Të gjithë janë mësuar tashmë, të presin nga Madonna, që koncertet e saj të jenë shfaqje madhështore, në të cilat jo vetëm ke se ç’të dëgjosh, por edhe se çfarë të këqyrësh. Por të çuditësh ndokënd me efekte regjizoriale, sot, po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Duke u futur në klubin e “50 vjeçarëve e kacafiu”, Madonna, ka të ngjarë, të ketë vendosur të mpleksë performancat e estradës me ato politike.

Më herët, gjatë shfaqes në Stamboll, kjo këngëtare nxorri sheshit gjinjtë, në Paris demonstroi një video-klip, ku liderja e “Frontit Kombëtar” ultra të djathtë Marine Le Pen ishte pasqyruar me një kryq të thyer (svastikë) në ballë. Këto ditë, në Kiev, kjo këngëtare pyeti që nga skena, nëse kishte në sallë trima dhe nëse do të luftonin ata për atë grua, e cila rivalizoi në garën presidenciale dhe që tani gjendet në burg.

Shikuesit, që shpresonin të dëgjonin hitet e preferuara të këngëtares së dashur, mundën të kënaqeshin vetëm me disa prej tyre. Në koncertin e mëparshëm të Moskës, në vitin 2006, Madonna pat kënduar edhe hite të reja edhe “hitet e arta”. Por këtë herë, përpos këngëve nga albumi i fundit, ajo interpretoi veç disa këngë të viteve të kaluara, si psh. "Sorry" dhe "Hung up". Këngëtarja dukshëm nuk ishte e prirur për të qenë lirike. Nga gjërat romantike të saj tingëlloi vetëm "Masterpiece" nga albumi i ri.