0Midis historianëve të Luftës së II Botërore nuk kanë të rreshtur diskutimet, se pilotët e cilit vend ishin më të mirët, apo cilët rrëzuan më shumë avionë, pilotët e Luftwaffe-s apo asët sovjetikë. Ja se ç’thotë në lidhje me këtë historiani Vladimir Ivanov:

- Një prej sistemeve më të rreptë të llogaritjes së avionëve të rrëzuar ka qenë në Bashkimin Sovjetik (BRSS). Çdo piloti, që shpallte fitoren, i kërkohej si minimum një vërtetim nga tre burime në tokë. Gjermanët kishin një sistem tjetër të llogaritjes. Ky përbëhej nga dy momente bazë: së pari, në avion ishte montuar një aparat fotografik me shkrepje automatike, i cili fiksonte rënien dhe djegien e avionit; së dyti, komandanti i njësisë lëshonte një vërtetim, që vartësi i tij vërtet kishte rrëzuar avionin. Por avioni sulmues Il-2 (russ. "Ил-2"), tipi bazë i avionëve sovjetikë në luftë, që u prodhua në afro 40 mijë njësi, dallohej për rezistencë të madhe. Nëse ky avion merrte flakë, shpeshherë piloti arrinte t’a shuante atë dhe më pas kthehej mbrapsht për në bazën e vet.

Në fillim të luftës, kur armiku po çante me vrull në thellësi të territorit të BRSS-së, shumë pilotë sovjetikë u detyruan të hynin në betejë pa marrë mësimet e duhura, ndonjëherë madje dhe pas një përgatitje disaorëshe për fluturim me avionin e ri. Dhe këta rishtarë binin nën breshërinë e plumbave të grykave të zjarrit dhe mitralozëve të avionëve gjuajtës gjermanë. Por, sa i përket pilotëve me përvojë, duhet thënë se jo të gjithë asët gjermanë arrinin të përballonin ballafaqimin me ta. Mund të pranohet ndershmërisht, se ka patur pilotë gjermanë, që kanë rrëzuar shumë më tepër avionë sovjetikë, sesa pilotët tanë avionët e tyre, vë në dukje Vladimir Ivanov:

- E megjithatë gjermanët pësuan humbje kolosale. Në vitin 1941 në beteja hynë pilotë me 10-20 orë përvojë fluturimi. Kundër tyre luftuan asët gjermanë, që kishin kaluar beteja të shumta në ajër dhe që ishin ndeshur me asët e Anglisë dhe të SHBA-së. Në vitin 1945 kjo tabllo ndryshoi rrënjësisht, tani ishte Gjermania ajo që hidhte në luftë pilotë me përgatitje të kufizuar. Ndërsa atyre u kundërviheshin pilotët sovjetikë, që kishin kaluar një kalvar betejash mjaft të vështira në darën e Kurskut. Gjermanët pësuan të tilla humbje serioze në vitin 1945, sikurse ne më 1941.

Kur industria sovjetike e prodhimit të avionëve, që ishte evakuar në Lindje të vendit, nisi të punonte me gjithë kapacitetin e saj dhe kur pilotët sovjetikë fituan përvojën e duhur në luftim, fillimisht duke u krahasuar me pilotët gjermanë dhe pastaj duke i tejkaluar në shumë tregues ata, atëherë pra, u bë e qartë se aviacioni gjerman ishte i destinuar të dështonte. Dhe madje, ndonëse kundërshtari kishte asë të vërtetë të fluturimit, prapëseprapë, nuk i mbetej asnjë shans për të fituar betejën në ajër.