0Pas vizitës në bazën kryesore të Flotës së Paqësorit të SHBA-ve, luftanijet ruse do të marrin kursin për në Vladivostok.

Stërvitjet ushtarake të vendeve të rajonit të Paqësorit RIMPAC (Rim of Pacific Exercise) janë të fokusuara kryesisht në përpunimin e veprimeve luftarake dhe ndërveprimin e flotave të vendeve aleate të Shteteve të Bashkuara. Në stërvitjet RIMPAC-2012 ishin të ftuara, në radhë të parë, vendet që kanë fërkime të dukshme ose të fshehura me Kinën. Për këtë arsye në disa shtete këto stërvitje ushtarake i pagëzuan si "anti-kineze".

Por për të folur mbi atë, se Rusia në bashkëveprim me SHBA është duke u përgatitur për luftë me Kinën, do të ishte, si minimum, e parakohshme: flotat e Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara kanë praktikuar bashkëveprimin në drejtimin tradicional të "anti-piraterisë". Ato u morrën me realizimin e operacioneve të desantimit të grupeve të inspektimit dhe njësive të antiterrorit në anijet "e dyshuara" dhe "të kapura nga terroristët", zhvilluan manovra të përbashkëta, patrullimin dhe operacionet e kërkimit.

Në fakt, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara në mënyrë aktive po përpunojnë ndërveprimin e forcave të tyre të armatosura, për më tepër se RIMPAC nuk janë manovrat e para dhe as të fundit ushtarake në vitin 2012, gjatë të cilave luftanijet ruse bashkëveprojnë me anijet e NATO-s, dhe vetë lista e manovrave nuk kufizohet vetëm me ato ushtarako-detare. Mund të thuhet se intensiteti i veprimeve të përbashkëta në momentet aktuale ka arritur nivelin maksimal në gjithë historinë e periudhës post-sovjetike.
Megjithatë, është fare e qartë që sot nuk mund të flitet kurrsesi për hyrjen e Rusisë në NATO. Kjo hyrje do të ishte njëlloj e paleverdisshme për të dyja palët.

NATO-s, me qëllim që të përfshijë Rusinë në përbërjen e Aleancës, do t’i duhet të zgjidhë fillimisht një masë të tërë çështjesh që lidhen me inkorporimin e potencialit gjigand ushtarak, të krahasueshëm në kuadër të Bllokut vetëm me atë të SHBA-ve. Ky proces nuk mund të mos shkaktojë një reaksion të dhimbshëm, reagim irritues në mesin anëtarëve të rinj të Bllokut, të cilët e konsiderojnë Aleancën si “mburojë kundër Rusisë". Në rast të përfshirjes së Rusisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe formimit, për shembull, të "komandës së pavarur Evropianolindore të NATO-s", ka shumë gjasa të krijohet një situatë e tillë, kur, si minimum, një pjesë e ish anëtarëve të Traktatit të Varshavës do të jenë të detyruar sërish të marrin urdhëra nga Moska.

Për Rusinë anëtarësimi në NATO do të thotë hyrje në një organizatë të madhe, kaba, me përbërje shumë heterogjene, me perspektivë të paqartë, të papërcaktuar historike dhe mosmarrëveshje të konsiderueshme të brendshme, e cila, përveç të tjerash, është duke mbartur mbi supe barrën e rëndë të konfliktit afgan me pasoja të paparashikueshme dhe me perspektivën plotësisht reale të përfshirjes në një luftë të madhe në Lindjen e Mesme.

Në këto rrethana "unifikimi" i Moskës dhe Uashingtonit, nën yllin e Brukselit, është jashtëzakonisht i vështirë të imagjinohet. Por për zhvillimin e stërvitjeve të përbashkëta ushtarake kjo nuk është aspak pengesë. Rusia dhe SHBA kanë si shumë pika kontakti, që retorika parazgjedhore apo çështjet juridike të Aleancës të përjashtojnë përpjekjen për të vendosur marrëdhënie normale mes tyre. Se çfarë forme do të marrin ato në të ardhmen - vetë koha do ta tregojë.