Galeria fotografike

0:

0Xhudisti Tagir Khaibulaev i solli medaljen e tretë të artë olimpike Rusisë

Një sukses të tillë në disiplinën e xhudo-së sportistët e Rusisë nuk kanë njohur kurrë ndonjëherë më parë. Deri tani xhudistët rusë janë mjaftur në Lojrat Olimpike vetëm me medalje argjendi dhe bronzi, ndërsa katër vjet më parë në Pekin mbetën në përgjithësi pa asnjë medalje. Në Londër sportistët rusë demonstruan në mënyrë mëse evidente se janë mjeshtra të vërtetë në shtrojën e tatamit, kurse themeluesit e këtij lloj sport (xhudo) - japonezët, ata, thjesht, i shtrinë me supe të ngjeshur pas tapetit.

Presidenti u Rusisë Vladimir Putin, i cili edhe vetë është Mjeshtër i Sportit në xhudo, ka mbetur i mrekulluar nga aftësia dhe vullneti për fitore që demonstruan mundësit rusë në Lojrat Olimpike. Ky është një sukses i pabesueshëm, fantastik u shpreh me admirim Kryetari i shtetit.

Në Londër medaljen e parë të artë e fitoi mundësi rus Arsen Galstyan në kategorinë e peshës së lehtë deri në 60 kg. Medalist i dytë i artë u bë xhudisti Mansur Isaev. Ndërsa medaljen e bronzit e fitoi Ivan Nifontov.

Në sytë e Presidentit rus një fitore të shkëlqyer mbi atletin e fuqishëm mongol korri Tagir Khaibulaev. Me një hedhje mbresëlënëse mjaft taktike ai e “vulosi” kundërshtarin në shtrojën e tatamit. Trajneri i sportistit do të shprehet më vonë, se ishte plotësisht i sigurt në fitoren e xhudistit të tij: “Ai që në mëngjes ishte i tendosur e tingëllonte si tel instrumenti muzikor”.

Kurse vetë kampioni rishtar olimpik, pas ceremonisë së dorëzimit të medaljeve, pranoi se është dyfish i lumtur: nga fitorja në Lojrat Olimpike dhe nga urimet personale të Presidentit Putin. "Gjatë kohës së mundjes përpiqesha të mos mendoja se rivalitetin tim sportiv në tatami po e ndjek vetë Kryetari i shtetit. Koha kaloi fluturimthi, sa hap e mbyll sytë. Mundja me rivalin tim mongol zgjati pak më shumë se dy minuta", - thotë Tahir Khaibulaev:

- Unë madje u habita tej mase që gjithçka përfundoi kaq lehtë dhe kaq shpejt. Por është me të vërtetë një gëzim i madh, i pamatë që finalja pati një përfundim të tillë. Tani ndjej vetëm një lloj zbrazëtie në shpirt, sepse të gjitha emocionet i lashë në tapet.

Ky është një sukses i vërtetë i rusëve: në tatamin olimpik ekspertët vërejnë meritën e padiskutueshme të trajnerit italian Ezio Gamba. Kampioni i Olimpiadës moskovite të vitit 1980 erdhi katër vjet më parë në Rusi dhe kryesoi ekipin kombëtar. Jo të gjithë besuan fillimisht në aftësitë e tij si trajner, duke thënë se Gamba është ithtar i stilit të "mundjes evropiane", ndërsa etalon në xhudo kanë qenë gjithmonë japonezët. Por ishte e mjaftueshme të shihje stërvitjet e tij me mundësit që të kuptoje se ai është një profesionist i nivelit më të lartë, i cili mund t’i mësojë shumë e shumë gjëra sportistëve. Përveç kësaj, italiani ka arritur të krijojë një atmosferë të pabesueshme pozitive brenda vetë ekipit, por më e rëndësishmja është se ai mundi të formojë një skuadër të vërtetë që di të fitojë.

Xhudistët e përfunduan të premten turneun e tyre olimpik. Mundësi rus, tre herë kampion bote, Alexander Mikhailin u bë medalist argjendi i Olimpiadës në Londër. Në duelin final në kategorinë e peshës mbi 100 kg Alexander Mikhailin u mund nga medalisti i bronzit të Lojrave Olimpike të vitit 2008 në Pekin, francezi Teddy Riner.

Svetllana Kallmikova