0Falë punës së Keti Paterson, duke formuar një numër të caktuar telefoni, mund të dëgjoje kërcitjen e zgjatur, gërvimën dhe plaquritjen e zhurmshme karakteristike të copërave të akullit që binin në ujë si dhe tinguj të tjerë.

Për ekspozitën e dëgjuar të madhe Road Show 2012, e cila u hap të shtunën e kaluar në Britaninë e Madhe dhe që përkon me zhvillimin e Lojrave Olimpike, Keti Paterson ka krijuar projektin me titull “Campo del Cielo, Field of the Sky”. Ajo bleu një meteorit, i cili ka udhëtuar duke përshkuar humbëtirat e pamata të kozmosit përgjatë 4 milionë e gjysëm vitesh, e transformoi (e shkriu)j atë dhe i dha paskëtaj një formë të re. Ka ndodhur, kësisoj, diçka e pamundur: për herë të parë meteoriti “u krijua” në Tokë.

Gjatë procesit të përgatitjes së projektit lindën një sërë vështirësish. Në vështrim të parë, nuk dukej kaq e vështirë të blihej një meteorit, në Internet ka mjaft propozime me këtë temë. Por artistja kishte kërkesa të një niveli të lartë: ajo dëshironte vetëm një meteorit me përmasa jo më pak se 50 cm dhe me peshë pothuaj 150 kg. Siç dihet, për nga përbërja e vet meteoritët janë prej guri, prej hekuri dhe guri dhe vetëm prej hekuri. Pikërisht një meteorit me përbërje të tillë metalore, i aftë për t’iu nënshtruar shkrirjes, dhe i duhej Keti Patersonit për projektin, por meteorë të ngjashëm hasen shumë rrallë: sipas të dhënave të shkencëtarëve, gjithsej 5,7% e të gjithë trupave qiellorë që bien në Tokë kanë përbërjen e duhur.

Në fund të fundit, materiali i kërkuar u gjet dhe artistja ia hyri punës. Sipas Keti Patersonit, asaj vetë i ishte dukur gjithë sa po ndodhte disi absurde: ajo kishte transformuar njëfarë lënde, ardhur nga thellësia kozmike dhe aq të lashtë, sa i tejkalonte mundësitë e arësyes njerëzore, e kish transformuar, pra, atë lëndë në një objekt punuar me dorë. “Është si ta bësh Gjithësinë më të afërt dhe më të kuptueshme për njeriun,- shprehet artistja. - Për mua procesi i transformimit të meteoritit duke i dhënë atij një formë të re është si të bashkosh kohërat, historinë dhe hapësirat në një të vetme. Tekefundit, do të dëshiroja ta dërgoja meteoritin mbrapsht në kozmos, por kam frikë, se kjo nuk do të realizohet aq shpejt”.

Hë për hë, meteoriti i Keti Patersonit nuk është dërguar në kozmos, por është ekspozuar në Londër, duke tërhequr vëmendjen e të gjithë atyre, që shfaqin interes ndaj artit bashkëkohor dhe nuk janë kundër, që fill pas gjurmëve të Keti Patersonit, të nisin të mendojnë mbi mundësinë e bashkimit të kohës, historisë dhe hapësirës në një të vetme.

Armen Apresjan