0Këtë deklaratë ai e bëri në Londër pas negociatave ruso-britanike:

- Kofi Annan është një njeri shumë i denjë, një diplomat i shkëlqyer dhe njeri jashtëzakonisht i ndershëm. Më vjen shumë keq që ai po largohet nga posti i vet. Por unë shpresoj megjithatë se përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për t'i dhënë fund dhunës në Siri do të vazhdojnë.

Misioni i ndërmjetësimit i Kofi Annan-it do të përfundojë më 31 gusht. Pikërisht me planin e tij të paqes Rusia lidhte shpresat për zgjidhjen e krizës politike në Siri me mjete paqësore. Që në mars ai i sugjeroi Damaskut dhe opozitës ndalimin e njëkohësishëm të zjarrit dhe vendosjen në vend të vëzhguesve ndërkombëtarë për të monitoruar armëpushimin nga të dyja palët. Nisma e tij nuk u kurorëzua me sukses. Çfarë ishte kjo dështim i misionit apo pamundësi e plotësimit të tij në parim? Ja opinioni i Eugjeni Satanovski, Drejtor i Institutit rus për Lindjen e Mesme në lidhje me këtë:

- Ai ia hyri punës për zgjidhjen e problemit, i cili nuk mund të rregullohej, në parim, sipas definicionit. Lufta civile në Siri po zhvillohet me mbështetjen e qenësishme të disa anëtarëve të Lidhjes së Shteteve Arabe, të cilët dhe e organizuan këtë luftë, po e sponsorizojnë, po drejtojnë tani atë, duke trajnuar edhe militantë ndërkohë. Dhe për ndërmjetësuesin është praktikisht e pamundur të zgjidhë problemin me luftën civile, të “ushqyer” bujarisht me dhjetëra e qindra miliona dollarë, me mijëra militantë, duke përfshirë edhe luftëtarët e "Al-Qaeda". Gjatë kësaj intervencioni i jashtëm nuk u shpall vetëm se Rusia dhe Kina zunë një pozicion shumë të rreptë, të palëkundur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Rusia dhe Kina janë përpjekur me të gjitha mundësitë e veta ta ndihmojnë Kofi Annan-in, pasi ne jemi të interesuar në suksesin e misionit të ndërmjetësimit. Vendet perëndimore, duke folur me të madhe për përkrahjen e Kofi Annan, në fakt, nuk kanë bërë realisht asgjë për këtë.

Në Uashington, ndërkohë, të gjithë fajin për largimin e Kofi Annanit nga posti i vet ia ngarkuan Damaskut, dhe, pjesërisht Moskës e Pekinit. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney e lidhi vendimin për dorëheqjen e Annanit me veton e vendosur nga Rusia dhe Kina ndaj projektit perëndimor të rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ai parashikonte aplikimin e masave të ashpra të ndikimit kundër Damaskut për lehtësimin e realizimit të planit të Kofi Annan-it, por linte në heshtje rolin e opozitës së armatosur në eskalimin e dhunës. Po aq e njëanshme është edhe projekt-rezoluta arabe e Asamblesë së Përgjithshme për Sirinë. Prandaj Rusia tashmë ka paralajmëruar se nuk do ta mbështesë atë. Votimi i saj pritet të premten në mbrëmje.

Shpallja e dorëheqjes nga Kofi Annan nuk duhet të krijojë vakum në përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për gjetjen e rrugëzgjidhjes paqësore të krizës siriane, mendon eksperti i Qendër ruse të Studimeve Orientale Andrei Vollodin:

- Tani duhet folur jo mbi atë, se përse dha dorëheqjen Kofi Annan. Arsyet e dorëheqjes së tij janë plotësisht të qarta. Tani lypset të flitet mbi atë, se çfarë duhet bërë me tej. Në këto momente mund të luajë një rol të madh Grupi i kontaktit për Sirinë, në të cilin rol mjaft aktiv luan Rusia. Është e nevojshme, natyrisht, të përfshihet në mënyrë aktive në veprimtarinë e këtij Grupit koordinues Irani. Unë mendoj se në të ardhmen e afërt, madje edhe në orët e afërta, do të intensifikohet aktivizimi i diplomacisë ndërkombëtare. Dhe Rusia duhet të përfshihet mjaft aktivisht në këtë proces. Meqenëse ekziston pozicioni i deklaruar qartë i Presidentit të Rusisë në lidhje me faktin se kriza siriane duhet të zgjidhet pa ndërhyrje nga jashtë dhe me forcat e vetë popullit sirian, mbi bazën e kompromisit midis të forcave të ndryshme socio-politike.

Vendet perëndimore këmbëngulin gjithnjë e më intensivisht për pezullimin e Misionit të vëzhguesve të OKB-së në Siri. Kjo është dëshmi e qartë e asaj, se ato nuk kanë aspak nevojë për informacionin objektiv të gjithë asaj që po ndodh në Siri. Moska beson se Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon do të propozojë zgjatjen e kohës së veprimit të këtij Misioni. Ndërkohë ajo shpreson se ky Mision do të merret jo vetëm me monitorimin e situatës humanitare, por edhe asaj ushtarake.

Konstantin Garibov