0Javën e fundit, të ashtuquajturit “njerëz të dëborës” janë parë jo një herë në lartësitë e Mras-Su. Lumi rrjedh në Gornaja Shorija, në jug të qarkut Kemerovo, por shumë më në veri të shpellës së Azaskës, të cilën gazetarët e kanë pagëzuar si “shtëpia e lindjes së Yetit”.

Të besojë apo të mos i zërë besë rrëfimeve për takimet me “këmbëmadhin” për çdokënd është punë personale. Sipas peshkatarëve në fshatin Toz, në tajgë, ata kishin parë dy qënie shtatmëdha, të çuditshme, qimedendur si të mbuluar me gëzof, që fillimisht i kishin marrë për ndonjë rrobë të errët, i kishin parë pra, në breg të lumit Mras-Su, tek lundronin përgjatë tij. Ata po pinin ujë dhe ndaj përshëndetjeve nuk reaguan, prandaj peshkatarët u interesuan të mësonin nëse kishin ndonjë problem. Ja ç’rrëfen Vitali Vjershinin, njëri prej dëshmitarëve të këtij takimi të pazakontë:

- A keni nevojë për ndihmë? Ata u larguan me shpejtësi në kahun e kundërt me ne duke vrapuar me putrat e pasme leshatore e qimegjata. Dhe lëviznin ata duke i hapur rrugën vetes përmes shkurreve të dendura me gjymtyrët e përparme nëpër shpatin e malit. Ramë në mendime të thella: ariu, sido që të jetë, nuk rend kësisoj, sepse vrapon me të katër putrat. Kurse këta, na del se si njerëzia vrapojnë.

Sipas hominologëve, zhegu i vapës mund të ketë qenë shkaku i migrimit të “njerëzve të dëborës” nga shpellat e tyre të Azaskës, ku kalojnë jetën rëndom, për në veri. Drejtori i Qendrës Ndërkombëtare të Hominologëve në Moskë Igor Burcev ka pothuaj gjysëm shekulli që studion “këmbëmadhin”. Ai bashkëpunon me mijëra hulumtues vullnetarë nga e gjithë bota, ndërkohë që hominologjia nuk është pranuar zyrtarisht si një disipline shkencore. “Njerëzit e dëborës” jetojnë anembanë botës, por në Gornaja Shorija gjallon popullimi i tyre më i madh në Rusi, sqaron Igor Burcev.

Në tetor të vitit të kaluar ekspedita ndërkombëtare nën drejtimin e Igor Burcevit, ku merrnin pjesë edhe shkencëtarë nga SHBA-ja, Kanadaja, Suedia, Estonia dhe Rusia, doli në shpellën e Azaskës në Kuzbas. “Këmbëmëdhenjtë” nuk i hasën, por gjetën në dheun e argjilës një gjurmë 45 cm të një qënieje të panjohur, në të cilën rrinin ngjitur leshra. Studimi i leshrave me ndihmën e një mikroskopi elektronik skanues në Institutin Zoologjik të Akademisë së Shkencave të Rusisë në Shën-Petersburg nxorri pohimin, se “Yeti” i Kuzbasit nuk është një mit. Leshrat e tij dolën të ishin identikë me qimet e njerëzve të dëborës, të gjendur në skaje të ndryshme të rruzullit dhe të gjithë ata ishin gjallesa të të njëjtit lloj. Ti vësh pikën mbi “i” diskutimit shumëvjeçar, nëse ekzistojnë apo jo “Yetët” dhe janë apo jo kushërinj të njeriut, ky është synimi i gjenetistit të shquar prof.Brajan Saks në Wolfson-kolegge në Universitetin e Oksfordit. Duke përdorur teknologjitë më të përparuara ai ka nisur të studiojë tashme eshtrat e banorëve misteriozë të vendeve të pashkelura. Në dhjetor ky shkencëtar planifikon t’i bëjë të ditur opinionit botëror rezultatet e punës së tij.

Maria Domnickaja