0Ato paraqesin në vetvete një manifestim jashtëzakonisht të rrallë të dukurisë hidrotermale, kur “kazanët” e baltës kurative funksionojnë në regjimin e gejzerëve. Kjo mrekulli e natyrës ra në qetësi (rreshti së funksionuari) në qershor 2007, kur në luginën rezervat ndodhi një rrëshkitje e fuqishme toke.

Lugina e gejzerëve (geysers) e glorifikoi Kamçatkën në të gjithë botën. Ky është i vetmi vend në planet, ku në një zonë të vogël rreth 7 kilometra katrorë janë përfaqësuar të gjitha llojet e burimeve të ujërave të nxehta (termale). Në vitin 1996 Lugina e gejzerëve, e cila ndodhet 160 kilometra në veri të qytetit Petropavllovsk-Kamçatski, është përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore Natyrore të UNESCO-s. Në 3 qershor të vitit 2007 një masë gjigande balte me vëllim prej rreth 5 milionë metra kub vërshoi mbi Perlën e Kamçatkës dhe mbuloi nën gurë shumicën e 200 burimeve termale. Por natyra nuk e la të vdesë kryeveprën e vet - brenda një viti shumë gejzerë (geysers) u ripërtërinë sërish. Kurse “Kazanët”, të cilët madje nuk u mbuluan as nga lumi i baltës së shkaktuar nga rrëshkitja e tokës, nuk dihet se për ç’arsye pushuan për të vepruari. Për pesë vjet ata kanë “grumbulluar forcat” dhe ja këto ditë filluan të funksionojnë sërish.

“Kazanët” e gejzerëve prej balte kurative përfaqësojnë në vetvete një kombinim natyror të tre vaskave: dy të vogla rreth 30 centimetra dhe një të madhe me diametër 1.5 metra, e cila është e ndarë prej tyre nga një hendek jo i madh. Ndryshe nga gejzerët e zakonshëm - burimet e ujit të vluar që hedhin periodikisht shatërvane prej përzierjesh avull-ujë - “Kazanët” hedhin në ajër baltë argjilore të valuar. Lartësia e shpërthimit të kazanëve të vegjël është më pak se një gjysmë metri, kurse e të madhit tre metra. Por jo të gjithë kanë fatin ta shikojnë këtë pamje të mahnitshme, sepse erupsioni i “Kazanëve” është një dukuri jashtëzakonisht e rrallë, thotë Drejtori i Rezervatit të biosferës të Kronotskit Tihon Shpilenok:

- Frekuenca e shpërthimit të çdo gejzeri është individuale dhe varet nga shumë faktorë, madje është e pamundur të numërohen të gjithë ata. Këto, mbi të gjitha, janë: temperatura e ajrit, presioni atmosferik, stinët e vitit, sasia e reshjeve të shiut.

“Kazanët” e baltës së vluar filluan të funksionojnë në regjimin e gejzerëve papritmas për të gjithë në një kohë relativisht jo të largët, në vitin 1987. Aktualisht “Kazanët” me baltë të kuqe të vluar argjilore habisin pa masë turistët e shumtë nga të gjitha skajet e planetit, të cilët vijnë posaçërisht në Kamçatka për të dëgjuar frymëmarrjen e Tokës. Por tani çdokush që dëshiron mund ta shikojë këtë spektakël fantastik - në Luginën e gejzerëve (geysers) janë instaluar video kamera dhe imazhet e regjistruara në to transmetohen në Internet.

Maria Domnickaja