0Kjo shpjegohet me disa shkaqe: edhe me pamundësinë e sigurimit të kushteve të nevojshme klimatike nëpër sallat e ekspozitave, gjë që pashmangshmërisht ndikon qoftë në gjendjen e kanavacës, qoftë në qëndrueshmërinë e shtresave të ngjyrave të hedhura në të, apo edhe me mungesën e mjeteve për kryerjen e një restaurimi bashkëkohor.

Por, ndërsa për ruajtjen e pikturave të shekullit të XIX-të dhe fillimit të shekullit të XX-të po gjenden disa mundësi, përkundrazi, trashëgimia e pikturës së periudhës sovjetike po shkatërrohet gradualisht dhe ekziston rreziku real i zhdukjes së një shtrese, plasti të tërë të artit vendas.

Zgjidhja e problemit u ofrua nga Muzeu i Arteve Figurative të rajonit të Kemerovit: punonjësit e muzeut shpallën fillimin e aksionit, “Birëso pikturën”. Mecenatëve potencialë u propozohet në këtë mënyrë të marrin nën kujdestari tablonë që u pëlqen, e cila mbetet në fondin e muzeut, por kujdestari ndërkaq financon konservimin e saj, garanton bërjen e ftesës për restauratorë të kualifikuar si dhe paguan punën e tyre dhe formatimin (kornizimin) e tablosë. Përveç kënaqësisë morale prej kujdestarisë në fjalë, mecenati do të ketë fitojë edhe një kënaqësi materiale, mbasi, sipas dëshirës, ai mund ta varë tablonë për njëfarë kohe, për shembull, në zyrën e vet. Kjo është një praktikë që ka gjetur përhapje të gjerë me kohë në botë, në Itali, bie fjala, në këtë mënyrë janë duke shpëtuar prej kohësh afresket antike.

Në fondin e Muzeut të Kemerovos ruhen disa mijëra vepra pikture, që kanë nevojë për një trajtim profesional dhe me kosto. Jo rrallë piktorët, që kanë punuar në vitet 1950-1980, kanë përdorur kanavaca jo fort cilësore, kanë eksperimentuar me sajime kanavacash, apo me bojëra, prandaj sot, ndonëse, relativisht, nuk ka kaluar shumë kohë që nga momenti i pikturimit, shtresa e bojërave ka marrë të zbehtë, kurse vende-vende është zhvoshkur fare apo po mbulohet me rrjetëzime plasaritjesh.

Shumë tablo janë marrë tashmë nën kujdestari. Siç bëhet e ditur në sitin e muzeut (http://kuzbassio.ru/index.phd?id=300), kujdestari i parë u bë Guvernatori i rajonit të Kemerovos Aman Tulejev, i cili “birësoi” tablonë “Ikonostasi siberian” të Piktorit të Popullit të Rusisë Viktor Zevakin. Aktualisht, numri i “birësuesve” është rritur deri në 15 herë.