0Ngritja e flamurit është një nga ceremonitë më të hershme zyrtare olimpike. Ajo nuk është aq ambicioze dhe spektakolare si hapja ose mbyllja e Olimpiadës, por jashtëzakonisht e rëndësishme megjithatë. Ajo fikson dhe konsolidon pjesëmarrjen e vendit në Lojrat Olimpike. Flamuri rus u ngrit para qindra mysafirëve dhe sportistëve nga Rusia. Fjalime u mbajtën nga Ministri i Sportit i Rusisë Vitali Mutko, Presidenti i Komitetit Olimpik rus Aleksandër Zhukov dhe Kryetari i Bashkisë i Fshatit Olimpik Spencer Eccles.

Sportistët e parë rusë - gjashtë jahtmenë (yachtsmen) dhe dy qitës - kanë ardhur në kryeqytetin britanik që më 17 korrik. Pastaj kanë vazhduar të vijnë çdo ditë sportistë të rinj, kurse ardhja e numrit më të madh të mysafirëve dhe sportistëve i ra datës 25 korrik, kur në Fshatin Olimpik u akomoduan praktikisht të gjithë pjesëmarrësit rusë të Lojrave të XXX Olimpike Verore. Numri i pjesëtarëve të ekipit rus në Lojrat Olimpike në Londër do të jetë më i vogël se sa ai i Lojrave të mëparshme Olimpike në Pekin dhe do të përbëhet nga 436 sportistë. Ndërsa gjithsej në delegacionin rus përfshihen 804 veta.

Shiko galerinë fotografike

Fshati Olimpik në Londër, për nga përmasat e veta, është më i vogli në gjithë historinë e zhvillimit të Lojrave. Territori i kompleksit përbën vetëm 36 hektarë. Në të jetojnë 16.000 sportistë dhe anëtarë të delegacioneve nga 203 vende të botës. Për tu bërë banorë të këtij Fshati kanë ëndërruar, ndoshta, qindra e mijëra sportistë nga e gjithë bota. Por strehëz, shtëpizë e përkohshme ai do të bëhet për më të mirët në mënyrë absolute - shpresat e vërteta olimpike. Sportistët nga Rusia i kanë akomoduar në tre ndërtesa tetë-katëshe. Delegacioni ynë është një nga më të mëdhenjtë. Për medalje ne do të luftojmë në 34 nga 37 llojet e sporteve.

Fshati Olimpik është tani objekti më i mirëmbrojtur në botë. Për të hyrë në të sportistët duhet të kalojnë tre kontrolle. Të gjitha rrugët dhe rrugicat e Fshatit të çojnë në një sallë të madhe ngrënie, e cila mund të mirëpresë deri në 5.000 persona. Në shërbim të sportistëve do të jenë kuzhina të vendeve të ndryshme. Vërtetë, siç thonë sportistët rusë, atyre u mungojnë shumë gatimet tradicionale ruse, të tilla si borshi dhe qoftet. Ndërkohë që ka shumë e shumë gatime të shijshme për të dashuruarit pas kuzhinës aziatike.

Dhe, siç shprehen me shaka sportistët, Londra po i bën një mikpritje me të vërtetë të nxehtë të gjithë pjesëmarrësve të Olimpiadës. Në kryeqytetin britanik po mban një vapë e vërtetë me temperatura plus 30 gradë.

Margarita Bogatova, Elena Ballajeva