0Ambienti i apartamentit të grimit, i mbuluar me qilima, një dhomë më vete për të medituar, sofrabezi prej linoje në tavolinën e banketit dhe të paktën një vazo me lule. Këto gjëra, jashtëzakonisht modeste për një yll të vërtetë, dhe janë kërkesat “ekzistenciale”, sipas listës së kushteve, që organizatorët rusë të turneut të Stingut e kanë shqyrtuar me kohë. Vitet e fundit ky muzikant ka ardhur, pa dyshim, shpesh në Rusi. Ka ardhur ose me rock-band, si në vitet ‘90 dhe në fillim të viteve 2000, ose me orkestër simfonike, si në dy vitet e fundit. Kurse këtë herë me “rock-quintet-in” e vet. Maestro Sting do të mbajë në dorë bas-kitarën e tij të famshme, pjesë e koleksionit Fender, për të cilën ëndërrojnë pothuaj të gjithë rokistët, dhe sigurisht do të këndojë. Lista e këngëve premton kompozimet më të mira, të krijuara nga Stingu për 25 vjet të karrierës solo, si edhe hitet më të njohura të grupit të tij të parë, i famshmi në gjithë botën "The police".

Gjuhët e liga pohojnë, se muzikantët e rokut të një popullariteti qiellor të këtillë vijnë në Rusi vetëm për honoraret, të cilat këtu, në krahasim me cilindo vend tjetër të botës, janë thjesht marramendëse. Duke mos e kundërshtuar fort këtë supozim, Stingu megjithatë në njërën prej intervistave të veta dhënë për televizionin rus u përgjigj në këtë mënyrë, se përse synon skenën ruse:

- Rusia është një vend mjaft interesant për t’u vizituar. Unë e dua Shën-Petërsburgun, adhuroj Moskën dhe do të doja që të jepja shfaqje edhe në qytete të tjera. Këtu për mua mbetet gjithnjë një dozë e panjohure, mistike dhe kjo më pëlqen shumë, më intrigon. Dëshira për të ardhur në vendin, veçanërisht në Rusi, i cili për shumë kohë ka qenë krejtësisht i mbyllur, është mjaft joshëse. Po, vërtetë, na paguajnë që ne të vijmë këtu sërish. Por, a e dini, këtë e them gjithmonë : “Unë kam një punë të tillë, me të cilën mund të merresha madje edhe falas”. Rusët reagojnë shumë mirë ndaj koncerteve të mia, sepse ata nuk i perceptojnë ato si njëfarë të dhëne objektive, realitet. Kjo është diçka që do të thotë për ta liri dhe, si përherë, do të thotë çlirim. Ndërsa kjo është një ndjenjë shumë e fortë.

Meqë ra fjala, intelektuali - në të kaluarën mësues i gjuhës angleze - budisti dhe Kreu i Fondit për Mbrojtjen e Pyjeve Tropikalë Sting nuk e injoron rastin të japë shfaqje edhe në mbrëmjet e mbyllura për rusët e pasur. Ai ka kënduar, për shembull, për ditëlindjen e birit të një oligarku.

- Po ka ndodhur, - sjell ndërmend këtë rast muzikanti. - Disa vite më parë unë kam luajtur dhe kam kënduar në një ditëlindje. E bëra këtë, sepse, së pari isha kurioz. Së dyti, unë kam besim në forcën e magjishme të muzikës. Dhe mendoj, se mund të mbjellësh në ndërgjegjen e njerëzve farën e atyre problemeve, që janë të rëndësishme për ty: të drejtat e njeriut, marrëdhënia jonë ndaj mjedisit.

E megjithatë, në Rusi jeton mbase publiku më fisnik, më mirënjohës i Stingut. 60 vjeçari Sting e ndjen këtë shkëlqyeshëm dhe si një xhentëlmen i vërtetë e shpjegon këtë dashuri fansash, si të thuash, me fuqinë magjike të artit vet.

Shkarko audiofailin

Olga Bugrova