0Kofi Annan bisedoi gjithashtu edhe me Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov. Në bazë të rezultateve të takimit të tyre u theksua, se në Moskë fati i Presidentit sirian Bashar Al-Assad nuk u diskutua.

Kofi Annan erdhi tashmë për të dytën herë në Rusi që nga momenti i emërimit të tij si i Dërguar i posaçëm i OKB-së dhe Lidhjes së Shteteve Arabe për zgjidhjen e konfliktit sirian. Në prag Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov deklaroi, se vizita e radhës e Annanit riafirmon mbështetjen e fuqishme nga Rusia të planit të tij për rivendosjen e paqes civile në Siri. Kjo është deklaruar të martën edhe nga ana e Presidentit Vladimir Putin:

- Ne që në fillim, që në hapat tuaj të parë në këtë post, i kemi mbështetur dhe vazhdojmë t’i mbështesim përpjekjet tuaja të drejtuara për rivendosjen e paqes civile në Siri. Ne të gjithë ju njohim si një person shumë të ndershëm dhe profesional, i cili gëzon, padyshim, respekt të madhe e popullaritet. Unë dua t'ju siguroj se ne do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të mbështetur përpjekjet tuaja.

Kofi Annan, nga ana e vet, i quajti negociatat e zhvilluara në Moskë "takim shumë të mirë". Ai shprehu gjithashtu shpresën se gjatë votimit të ardhshëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së palët do të mund të bien dakord në lidhje me projekt-rezolutën.

- Ne duhet të bëjmë gjithçka të mundur për të ndaluar dhunën dhe gjakderdhjen. Dhe unë shpresoj shumë se Këshilli i Sigurimit do të japë një sinjal të qartë se vrasjet duhet të ndalen dhe se çdo gjë që po ndodh tani në këtë vend është krejtësisht e papranueshme. Unë shpresoj se diskutimi do të vazhdojë dhe se anëtarët e Këshillit të Sigurimit do të arrijnë të gjejnë formulime të tilla që do të jenë të përshtatshme për të gjithë.

Të hënën Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov deklaroi, se në prag të votimit për projekt-rezolutën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së disa vende janë përpjekur për t'i bërë shantazh Moskës. Pas bisedimeve me Kofi Annan Ministri Lavrov vuri në dukje se pret, megjithatë, arritjen e një kompromisi.

- Rusia është e gatshme për një punë të tillë. Ne tashmë kemi mundur të gjejmë një kompromis aspak të lehtë në Gjenevë, në konferencën e thirrur nga Zoti Annan më 30 qershor. Dokumenti i Gjenevës është konsensual. Dhe unë nuk shoh kurrfarë arsyesh, të cilat mud të bëheh pengesë për të arritur në marrëveshje mbi të njëjtën bazë edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Të martën Ministria e Punëve të Jashtme ruse lëshoi një deklaratë, në të cilën thuhet se fati i Presidentit sirian Bashar Al-Assad në bisedimet në Moskë nuk u shqyrtua.

Svetllana Andrejeva, Polina Çernica