0Në Kosovë është arritur një përparim i madh në sferën e realizimit të reformave demokratike si dhe në procesin e pajtimit të popullatës shqiptare dhe serbe. Në një konkluzion të tillë arritën përfaqësuesit e 23 vendeve të BE-së, Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara, të cilët kanë ushtruar kontrollin mbi pavarësinë e republikës së vetëshpallur deri tani. Kreu i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Prishtinë, diplomati holandez Pieter Feith, bëri të ditur se plani i Marti Ahtisaarit për marrjen e pavarësisë nga Kosova "në fakt është realizuar". Edhe pse mbetet ende shumë për tu bërë, është plotësisht i mundur transferimi i të gjitha plotfuqishmërive pushtetore autoriteteve aktuale të Kosovës.

Plani i ish-Presidentit finlandez Marti Ahtisaari u përpunua në vitin 2007. Ahtisaari propozoi që t’i jepen Kosovës shumë nga atributet e shtetësisë. Por për kohën e krijimit të një sistemi të besueshëm të vetëqeverisjes lokale dhe për të mbrojtur interesat e komunitetit të serbëve kosovarë kontrolli mbi veprimet e Prishtinës iu besua strukturave ndërkombëtare.

Autoritetet shqiptare ranë dakord për të pranuar pavarësinë e mbikqyrur dhe në shkurt të vitit 2008 shpallën ndarjen e Kosovës nga Serbia. Megjithatë, as serbët në veri të Kosovës, as Serbia, as anëtaret e Këshillit të Sigurimit të OKB-së - Rusia dhe Kina - nuk e kanë pranuar planin e Marti Ahtisaarit, nuk njohën sovranitetin e Kosovës dhe autoritetet e Prishtinë nuk i konsiderojnë si të ligjshme.

Tani Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën e ka gjetur misionin e vet të realizuar dhe i premton Prishtinës sovranitet të plotë. Por largimi i Stafit ndërkombëtar nga Kosova mund të ndikojë negativisht në pozitën e pakicës serbe atje, mendon Presidenti i organizatës ndërkombëtare "Diaspora e bashkuar serbe e Euroazisë" Dragan Stojanoviç:

- Të gjitha këto institucione ndërkombëtare, që kanë punuar në Kosovë, nuk i kanë përmbushur detyrat dhe detyrimet e veta. Në të vërtetë, ato kanë ndihmuar për krijimin e një kuazi-shteti dhe, në fakt, një shteti kriminal. Nuk është sekret për askënd se aktualisht ai është shndërruar në një bazë të madhe tranzite të trafikut të drogës. Por prania e këtyre organizatave ndërkombëtare ishte megjithatë njëfarë faktori frenues për ekstremizmin shqiptar dhe kosovar. Me largimin e vet këto institucione ndërkombëtare do t’i lejojnë autoriteteve shqiptare kosovare dhe ekstremistëve që të rrisin presionin mbi pjesën e mbetur të popullsisë serbe në Kosovë.

Natalia Kovalenko