Shkarko audiofailin

Kriza politike që ka shpërthyer aktualisht në Rumani është kryesisht një luftë midis Presidentit Traian Bashesku e Kryeministrit Viktor Ponta dhe Traian Basheskut me Parlamentin.

U rizgjodhën kryetarët e dy dhomave të parlamentit, u shkarkua nga detyra Komisioneri për të Drejtat e Njeriut, u nder rreziku kërcënues edhe mbi kokat e gjyqtarëve të deleguar të Gjykatës Kushtetuese, u ndërrua udhëheqja e Televizionit Publik të vendit ... Një prej çështjeve më të mprehta e më të debatueshme në Rumani është bërë përpjekja për të shkarkuar Kryeministrin majtist Viktor Ponta, i cili është akuzuar për plagjiaturë. Gjykata Kushtetuese konfirmon se Viktor Ponta po ndërmerr përpjekjet për ta shpërndarë atë. Gjykata Kushtetuese është ankuar për veprimet e Viktor Ponte në Këshillin e Evropës.

"Nuk ka asnjë dyshim se Aleanca drejtuese Social-Liberale ka vënë në shënjestër, siç i thonë fjalës, “gjahun e madh” dhe po përgatitet për fillimin e impiçmentit ndaj Presidentit Traian Bashesku," - mendon analisti i njohur politik rus Aleksei Makarkin:

- Situata në Rumani është shumë e tensionuar. I gjithë problemi konsiston në atë se politikanët vendorë nuk dinë si të bëjnë kompromis. Nga njëra anë Presidenti, të cilin qeveria e akuzon për autoritarizëm. Kurse nga ana tjetër partia e presidentit i paraqet kundërshtarëve të vet akuzën serioze pothuajse të përgatitjes së grushtit të shtetit. Intensiteti i luftës është aq i fortë, saqë për arritjen e objektivave të veta palët përdorin të gjitha mjetet e mundshme. Arritën madje të gërmojnë deri në burimet fillestare të tezës së doktoratës të Kryeministrit, të cilën ai, siç konfirmojnë oponentët, e pat huazuar pa specifikuar burimet. Ish-liderin e socialistëve dhe Kryeministrin Adrian Nestase e kanë akuzuar për korrupsion dhe e dënuan me dy vjet burg. E bënë atë që të tentojë pothuajse vetëvrasjen ... Me një fjalë gjithçka në këtë konfrontim ka marrë një formë të hipertrofizuar, jashtëzakonisht dramatike. Dua të vë në dukje, aspak tipike për vendet e Evropës Perëndimore, ku ekzistojnë mekanizmat e bashkë-ekzistencës politike të presidentit të së djathtës dhe kryeministrit majtist dhe anasjelltas. Padashur lind pyetja: mos nxitoi vallë në kohën e vet Bashkimit Evropian me pranimin e Rumanisë në radhët e veta? Sepse që atëhere kishte probleme të lidhura me qëndrueshmërinë e sistemit politik, respektimin e rregullave të qytetëruara të lojës nga ana e Bukureshtit. Por, me sa duket, mbizotëroi dëshira e papërmbajtshme për tu zgjeruar në drejtim të Lindjes, për të integruar Rumaninë, e cila, siç deklarohej, do të jetë e detyruar të pranojë parimet e përbashkëta demokratike të BE-së. Siç e shikojmë pra, rezultati i këtyre përpjekjeve është tejet kontradiktor.

Lufta midis elitave rumune në pushtet nuk do të kalojë pa ekuivoke në adresë të Rusisë, e cila, si gjithmonë, natyrisht, i inskenon, i sajon të gjitha ..., - shprehet me shpoti Aleksei Makarkin:

- Rusia nuk ka punë tjetër veçse të përzihet në punët e brendshme të rumunëve! Dhe nëse do të flasim për ndikimin mbi socialistët rumunë, atëhere dua t’ju kujtoj: se pikërisht ata kanë luajtur një rol të rëndësishëm në orientimin e vendit në drejtimin e BE-së dhe NATO-s. Kurrfarë politikanësh pro-rusë apo "agjentë të Kremlinit" nuk qëndrojnë pas luftës aktuale në strukturat qeverisëse të Rumanisë. Gjithçka që po ndodh atje është rezultat i dy komponentëve të mbledhshëm: mungesa e kulturës politike dhe problemet ekonomike që janë në rritje në vend. Kur dy prej këtyre faktorëve konvergojnë, shteti ndodhet atëhere në zonën e turbulencës.

Ndërkohë nga Bukureshti vazhdojnë të vijnë njoftime të reja. Presidenti e krahasoi situatën e tanishme në vend me trazirat masive që patën organizuar në kryeqytet në vitin 1990 minatorët. Ai beson se të gjitha teleshet e rrëmuja me dorëheqjet “bien në kundërshtim me parimet e BE-së dhe e vënë Rumaninë në një situatë të vështirë". Gjë me të cilën është vështirë të mos pajtohesh.