Javën e kaluar Agjencia iraniane e lajmeve "Fars" përhapi njoftimin se Mursi synon të rishikojë kushtet e marrëveshjeve të Camp David-it. Thuhet sikur ai e bëri këtë deklaratë ditën e datës 24 qershor, para se të bëheshin publike rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve presidenciale. Vërtetë, më vonë Presidenti pohoi se të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare të autoriteteve të mëparshme do të mbesin në fuqi. Duke iu përgjigjur pyetjes së Radiokompanisë "Zëri i Rusisë" - Cilat deklarata të Presidentit janë të vërteta? - Ambasadori Alaa El Hadidi nuk e hodhi poshtë njoftimin e burimit iranian.

- Ne pranojmë të gjitha marrëveshjet e arritura ndërkombëtare, ndër të tjera edhe ato të Camp David-it. Ato përmbajnë një dispozitë, e cila thotë, se nëse njëra nga palët dëshiron të bëjë disa ndryshime, atëhere kjo mund të diskutohet në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Por nëse do të ndodhë me të vërtetë dhe kur - kjo është ende tepër herët që të thuhet. Unë mendoj se Izraeli duhet të diskutojë çështjen e rritjes së numrit të trupave ushtarake egjiptiane në Sinai.

Sipas kushteve të Marrëveshjeve të Paqes të Camp David-it, Egjipti mund të mbajë jo më shumë se një divizion në Sinai në zonën 30 milje në lindje të Gjirit të Suezit dhe Kanalit të Suezit. Ambasadori egjiptian nuk specifikoi nëse pikërisht këtë moment pat nënkuptuar Mohammed Mursi. Sipas vlerësimit të mediave, rishikimi vetëm i një pike të Marrëveshjes së Paqes, mbi të cilën bazohet i gjithë kompleksi i marrëdhënieve arabo-izraelite, duke përfshirë edhe ato palestinezo-izraelite, do të kërkojë rinegocim e tyre të plotë.

Ambasadori preku gjithashtu edhe një sërë çështjesh të tjera. Egjipti duhet të zgjidhë tani detyrat më imediate: të formojë qeverinë e re dhe organet e reja pushtetore, për të cilat tashmë po zhvillohen konsultimet, dhe të ndryshojë kushtetutën e re. Diplomati saktësoi se për Mohammed Mursi është më e afërt, më e preferueshme struktura e përzier e qeverisë, e ngjashme me atë të modelit francez: kombinimi i drejtimit presidencial dhe republikës parlamentare. Deri në fund të vitit do të përpilohet teksti i kushtetutës, do të mbahet një referendum në lidhje me të dhe do të zgjidhet parlamenti. Deri në pranverën e vitit 2013, shpreson diplomati, do të rinovohet plotësisht sistemi politik i vendit. Programin ekonomik Mohammed Mursi e ka gati tashmë. Në të parashikohet zhvillimi i tregut të lirë dhe turizmit. Ai ka dëshirën e mirë të arritjes së hapjes së paprecedentë në politikë pa preferenca ndaj çfarëdo forcash të caktuara të jashtme, sepse, mund të thuhet, se atij i pëlqen ideja e botës multipolare. Dhe Rusia do të mbetet një sferë e rëndësishme e bashkëpunimit, siguron Ambasadori i Egjiptit në Moskë Alaa El-Hadidi.

Boris Pavlishiev