0Kjo pendesë publike mjaft emocionale e Shevardnadze ka karakter simbolik: nga Saakashvili po distancohen tani madje edhe personat që kanë qenë shokë idesh me të. Ish-Kreu i Gjeorgjisë nuk ka qenë i dyshuar kurrë për ndofarë prirjesh e ndjenjash të veçanta pro-ruse. Kështu që pendimi i Shevardnadze në lidhje me Mikhail Saakashvilin nuk është aspak një gjest i mirë, kortezie ndaj Moskës dhe dëshirë për të përfituar dividende politike. Përkundrazi, ky është konstatim elementar fakti.

Me ardhjen në pushtet të Saakashvilit vendi nxitoi të hidhet në krahët e Perëndimit. Ndërkohë që populli i Gjeorgjisë ka ushqyer tradicionalisht simpati për Rusinë. Por analistët në Bruksel dhe Uashington e kuptonin për mrekulli rëndësinë gjeopolitike të Gjeorgjisë në rajon dhe kanë bërë gjithçka të mundur me qëllim që ajo të bëhej për ta aleatja më e besuar dhe një kundërpeshë ndaj ndikimit të Moskës. Ndihma financiare dhe ushtarake e Perëndimit e ngazëlleu, e bëri “me fletë" Saakashvilin, i cili u përpoq edhe një herë për të kthyer me forcë, me detyrim Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut në përbërjen e Gjeorgjisë. Por agresioni i tij kundër këtyre republikave në vitin 2008 çoi në efektin e kundërt - ato i mori nën mbrojtje dhe i njohu Rusia, ndërsa më pas edhe shtete të tjera. Rezultatet e aventurës së përgjakshme të Mikhail Saakashvilit - prishja e marrëdhënieve zyrtare me Moskën dhe humbja përfundimtare e mundësisë për të zgjidhur me anë të negociatave çështjet e integritetit territorial të Gjeorgjisë.

Nuk paraqiten më mirë gjërat edhe në fushën e lirive demokratike në këtë vend. Ekspertët pajtohen me mendimin se në Gjeorgji është vendosur tashmë një regjim autoritar. Shtypja e ashpër e aksioneve të opozitës dhe persekutimi i disidentëve janë bërë pjesë integrale e politikës zyrtare të Tbilisit.

Kriminel ndërkombëtar e quan Udhëheqësin aktual gjeorgjian Zëvendës-kryetari i Kongresit Botëror të Popujve të Gjeorgjisë Vladimir Khomeriki.

- Ai po e shkatërron me vetëdije të plotë Gjeorgjinë, po bën gjithçka të mundur që në mes të popujve të Rusisë dhe Gjeorgjisë të ngrihet një barrierë e madhe, e pakapërcyeshme. Rezultati kryesor i drejtimit të Saakashvilit - ai arriti të fusë sherrin midis dy kombeve të mëdhenj vëllazërorë. Një nga të këqijat e viteve të drejtimit të tij është edhe tallja me kombësinë gjeorgjiane, shkelja me këmbë e kulturës gjeorgjiane. Ai faktikisht e ka përdhosur mentalitetin gjeorgjian. Është tallur keq edhe me spiritualitetin gjeorgjian. Atë që bëri ai nuk do ta kishte bërë dot madje asnjë armik i betuar duke zhvilluar edhe tri luftëra me Gjeorgjinë.

Në të njëjtën kohë në Perëndim, tek mbështetja e të cilit shpreson kaq shumë Presidenti i Gjeorgjisë, tashmë e dinë fort mirë se sa i vlen lëkura atij. Perëndimi po kërkon në mënyrë aktive tani një figurë të përshtatshme për të zëvendësuar kreaturën që e ka diskredituar veten plotësisht. Sepse politikanët perëndimorë nuk duan të humbasin në kurrfarë mënyre ndikimin e tyre në rajon. Megjithatë, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale populli i Gjeorgjisë ka shansin të ndryshojë situatën. Sepse, në fund të fundit, ai dhe vetëm ai ka të drejtën e padiskutueshme, ekskluzive për të përcaktuar fatin e vet.

Ilia Harllamov