0Qendra ruse e Shkencës dhe Kulturës në kryeqytetin austriak të martën (më 26 qershor) mblodhi rreth njëqind pjesëmarrës të Konferencës, njofton korrespondenti i Radiokompanisë "Zëri i Rusisë" Igor Bjellov. Këta ishin shkencëtarë, diplomatë dhe politikanë nga Rusia, Austria, Franca dhe Zvicra, në mesin e tyre edhe ish-Kancelari i Austrisë Volfgang Shusel.

Tema qendrore e saj ishte “Roli i Rusisë në çlirimin e Evropës nga tirania e Napoleonit”. Në qershor të vitit 1812 ushtria e tij u dynd me forcë në territorin e Rusisë. Gjashtë muaj më vonë ajo u shpartallua plotësisht. Mbi këtë fakt e ndërtoi referatin e vet Drejtori i Institutit austriak të studimit të pasojave të luftës nga qyteti i Gracit (Graz), Profesor Stefan Karner:

- Gjatë intervencionit në Rusi në vitin 1812 nga të dy palët kundërshtare u vranë rreth një milion njerëz. Pra, de facto, Evropa ka humbur atëhere një brez të tërë. Humbjet e ushtrisë së Madhe franceze përbënë 400 000 të vrarë dhe rreth 100.000 robër lufte. Taktika dhe arti rus i luftës u nënçmuan nga Napoleoni, po ashtu si dhe territoret e pamata ruse, kushtet klimatike, duke përfshirë korrikun e nxehtë të vitit 1812 dhe më pas ngricat e ashpra të fundit të vjeshtës. Këtu ka shumë pika përkimi dhe paralele me ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore. Edhe në lidhje me këto fakte pati shumë diskutime. Me këtë rast ia vlen të theksohet gjithashtu se në të dy luftërat e sipërpërmendura Rusia arriti t’i shpartallojë kundërshtarët e saj kryesisht me forcat e veta.

Për Evropën rezultati i Luftës Patriotike të vitit 1812 në Rusi u bë sinjal për fillimin e kryengritjes kundër sundimit të Napoleonit. Një vit më vonë, në betejën e Leipzigut, ushtria e re e Napoleon Buonaparte u shpartallua tashmë nga forcat e aleatëve, të cilat bashkuan Rusinë, Austrinë, Prusinë, Suedinë. Një vit më pas me këtë koalicion u bashkuan edhe Anglia, Spanja dhe Portugalia. Në qershor të vitit 1815 u zhvillua beteja e famshme e Vaterlosë - e fundit në epokën e Luftërave Napoleonike.

Kohët e fundit janë botuar shumë studime mbi këto ngjarje të një të kaluareje dy shekullore dhe jo vetëm në Rusi, por edhe në Perëndim, vë në dukje Drejtori i Institutit rus të Historisë Botërore Aleksandër Çubarian:

- Librat më të mirë kushtuar Luftës së vitit 1812 dhe rolit të Rusisë kanë dalë në dritë tani në Paris dhe Londër. Dhe aktualisht po përkthehen në rusisht. Këta janë libri i Profesores franceze Marie-Pierre Rey nga Universiteti i Sorbonne me titull "Aleksandri I" dhe botimi i dytë, i përkushtuar kësaj lufte, që u nderua me dekoratën më të lartë të Francës - Urdhërin e Legjionit të Nderit - libri i historianit britanik Dominic Lieven.

Luftërat Napoleonike ushtruan një ndikim të madh në procesin historik evropian. Çlirimi nga tirania e Napoleonit, i cili filloi me fitoren e Rusisë në Luftën Patriotike të vitit 1812, u bë një kusht paraprak për zhvillimin e ardhshëm të konceptit të komunitetit evropian.

Mihaill Aristov