Në Shtetet e Bashkuara përfundoi zyrtarisht sezoni i zgjedhjeve paraprake. Fitoren në zgjedhjet paraprake të fundit, të mbajtura dje në Utah, e arriti ish-Guvernatori i Masaçusets Mitt Romney. De facto ai u bë fitues i garës republikane që në prill.

Zyrtarisht gara parazgjedhore e republikanëve do të përfundojë në fund të gushtit me kongresin kombëtar të partisë në Tampa (Florida), në të cilin do të emërohet kandidati presidencial i Partisë Republikane. Zgjedhjet presidenciale amerikane do të zhvillohen më 6 nëntor të këtij viti. Kandidati i Partisë Demokratike në këto zgjedhje do të jetë Presidenti aktual i SHBA-ve Barack Obama.

Sondazhet e fundit tregojnë se për momentin shanset e fitores për Obama dhe Romney janë pothuajse të barabarta: Barack Obama mbështetet nga vetëm 4% më shumë votues se Romney.