0Temë kryesore në bisedimet e tij me Mahmoud Abbas u bë situata e krijuar në rajon dhe ndërmjetësimi i Rusisë në zgjidhjen e konfliktit palestinezo-izraelit. Rusia është një ndër pjesëmarrëset më të rëndësishme të Kuartetit të ndërmjetësuesve ndërkombëtarë së bashku me SHBA, Bashkimin Evropian dhe OKB-në. Shteti rus ka një rol shumë të rëndësishëm - atë të negociatorit të paanshëm, i cili mban marrëdhënie mirëbesimi me të dyja palët konfliktuese.

"Ne biseduam hollësisht në lidhje me mënyrat e kapërcimit të krizës në procesin e negocimit palestinezo-izraelit ", - tha Vladimir Putin:

- Dua të vë në pah pozitën e përgjegjshme të udhëheqjes së Autonomisë Palestineze dhe personalisht të Presidentit Mahmoud Abbas, angazhimin e tyre për gjetjen e një zgjidhje paqësore të konfliktit të bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe parimin e dy shteteve. Unë jam mëse i bindur se çfarëdo veprime të njëanshme deri në pajtimin përfundimtar të palëve do të jenë kundërproduktive. Është e domosdoshme të shfaqet vetëpërmbajtje maksimale dhe të respektohen në mënyrë rigoroze të gjitha detyrimet e mëparshme të marra mbi vete nga palët konfliktuese. Natyrisht, zgjidhja e konfliktit do të kontribuojë në rivendosjen e shpejtë të unitetit politik në Palestinë.

Mahmoud Abbas siguroi edhe njëherë, se Palestina nuk ka ndërmend të heqë dorë nga procesi i paqes me Izraelin, edhe pse ka disa kushte. Një prej tyre është ndërprerja e plotë e aktivitetit të kolonizimit izraelit të territoreve palestineze. Kjo, sipas mendimit Kreut të Autonomisë Palestineze, dhe është pengesa kryesore për përparimin drejt paqes:

- Ne iu lutëm Presidentit rus të japë ndihmën e tij për lirimin e të burgosurve palestinezë, të cilët mbahen në burgjet izraelite që nga viti 1994. Ekzistojnë marrëveshjet dhe ujditë përkatëse me palën izraelite, por, për fat të keq, Izraeli nuk i respekton ato. Ne i kemi konfirmuar Zotit President, se mënyra e vetme që do të çojë në vendosjen e paqes në rajon është procesi i bisedimeve me izraelitët. Ne konfirmuam gjithashtu nevojën për zhvillimin e Konferencës së Paqes për Lindjen e Mesme në Moskë, siç është rënë dakord disa kohë më parë për këtë.

Pika e fundit e vizitës dy-ditore të Vladimir Putinit në Lindjen e Mesme është Jordania. Presidenti rus do të zhvillojë bisedime me Mbretin Abdullah II bin Al-Hussein dhe do të marrë pjesë në përurimin e Shtëpisë së Pritjes (bujtinës) për pelegrinët rusë në vendin e Pagëzimit të Jezu Krishtit në lumin Jordan.

Svetllana Kallmikova