0Të kursehet apo të shpenzohet? Të vendoset disiplinë e rreptë apo të jepet mbështetje aktive? Përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve i kanë pozicionuar vendet e Bashkimit Evropian në kampe të ndryshme. Në kampin e parë është përfshirë Kancelarja gjermane Angela Merkel. Ajo del vendosmërisht kundër përdorimit të mjeteve financiare të fondeve evropiane anti-krizë për mbështetjen e tregjeve të obligacioneve të ekonomive që po fundosen të Evropës Jugore, në radhë të parë, të Spanjës dhe Italisë. Në kampin e dytë është pozicionuar Presidenti francez François Hollande. Ai është mëse i bindur në domosdoshmërinë e stimulimit të rritjes ekonomike, ndërsa për arritjen e këtij qëllimi ai propozon përdorimin e mjeteve financiare të fondeve anti-krizë të BE-së dhe vënien në qarkullim të eurobondeve kolektive. Udhëheqësit e Gjermanisë, Francës, Spanjës dhe Italisë në fund të javës së kaluar u takuan në Romë dhe riafirmuan besimin e tyre ndaj euros si monedhë e përbashkët, si dhe konfirmuan nevojën për një integrim më të madh politik të BE-së. Por në të njëjtën kohë ata patën mundësi të binden gjithashtu se janë ende shumë larg arritjes së unitetit të pikëpamjeve dhe qasjeve në Evropën e bashkuar.

Samitin e pritshëm të BE-së financieri dhe investuesi i famshëm amerikan Xhorxh Soros (George Soros) e ka quajtur një ngjarje me rëndësi vendimtare për fatin e euros. Ai beson se Samiti i ardhshëm është shpresa e fundit për shpëtimin e euros.
Problemet e Bashkimit Evropian nuk mund të reduktohet vetëm në fushën e borxhit, vuri në dukje Drejtori i Institutit rus të Problemeve të Globalizimit Mihaill Deliagin:

- Problemi i vërtetë i Greqisë nuk konsiston dhe aq në faktin se ajo ka borxhe të mëdha, se sa në numrin e vogël të kapaciteteve prodhuese vetiake. Kriza greke është pjesë përbërëse e problemit pan-evropian, i cili, nga ana e vet, përfaqëson një pjesë të krizës globale. Dhe kjo të bën që t’i vlerësosh me një dozë të konsiderueshme skepticizmi perspektivat e kapërcimit të krizës në zonën e euros.

Anëtarët e BE-së, që kanë ruajtur monedhat kombëtare, kanë qasjet e veta ndaj zgjidhjes së problemeve ekonomike. Katërshja e Vishegradit - Hungaria, Polonia, Sllovakia dhe Republika Çeke - i ka dërguar Udhëheqjes së BE-së një letër në të cilën thuhet, se e ardhmja e ekonomisë evropiane dhe bashkimit monetar duhet të diskutohet nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe jo vetëm nga anëtarët e eurozonës. Nga të katër vendet e Evropës Qendrore monedhën unike evropiane mori guximin ta vërë në qarkullim vetëm Sllovakia. Analisti rus Vladimir Soloduhin i vlerëson deklaratat e këtyre vendeve si të bëra jo në kohën e duhur:
- Për sa kohë që fjalë do të bëhet për shpëtimin e ekonomive kryesore, zëri i ekonomive të vogla nuk do të dëgjohet, dhe, madje më tepër se kaq, ai nuk është i rëndësishëm, me peshë. Bile as ekonomitë e mëdha nuk po arrijnë dot të merren vesh në mes tyre. Nëse do t’i shtojmë gjithë kësaj edhe kërkesat e vendeve periferike, atëhere kjo nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do të përshpejtojë kolapsin e bashkimit monetar.

Pretendimet e veta Grupi i Vishegradit do të ketë mundësi t’i shprehë edhe në Bruksel. Në të vërtetë, në Samitin e pritshëm nuk do të kalojë puna edhe pa vërejtje e qortime të ndërsjellta. Sipas mendimit të shumë ekspertëve, mbi suksesin e Samitit mund të flitet vetëm nëse pjesëmarrësit e tij do të bien dakord për çështjen e lëshimit të eurobondeve të përbashkëta.

Olga Denisova, Pjotër Iskenderov