0Plani i tij “Lufta e rrufeshme” (Blitzkrieg) nuk parashikonte një rezistencë të tillë kaq këmbëngulëse. Sulmi i ndërmarrë kundër Bashkimit Sovjetik shënoi fillimin e rënies së Rajhut të Tretë.

Operacioni "Barbarossa", i cili u përpunua nga Vermahti (Wehrmacht) që një vit para sulmimit të Bashkimit Sovjetik, parashikonte shpartallimin e shpejtë të forcave kryesore të Ushtrisë së Kuqe. Gjatë 2-3 muajve planifikohej marrja e Moskës dhe Leningradit. "Sa më shpejt që ta thyejmë Rusinë, aq më mirë do të jetë. Operacioni do të ketë kuptim vetëm nëse ne me një goditje të shpejtë qëllimsynuese do të shpartallojmë gjithë shtetin tërësisht ", - pohonte Hitleri. Por trupat e tij ndeshën në një rezistencë heroike të paparë. Beteja kryesore në rrugën për në Moskë u bë Beteja e Smolenskut, e cila zgjati më shumë se dy muaj. Si përfundim, kryeqytetit rus armiku mundi t’i afrohet vetëm në fund të vjeshtës të vitit 1941, tregon Doktor i Shkencave Historike Andrei Saharov:

- Ritmi i luftës së trupave hitleriane kishte humbur. Këmbëngulja e stoicizmi i Ushtrisë Sovjetike dhe popullit minuan praktikisht realizimin e planit “Barbarossa”. Madje që atëherë u bë mëse e qartë se po zhvillohej një luftë rraskapitëse, perspektivat e së cilës do të ishin shkatërrimtare, katastrofike për Gjermaninë.

Hitleri i nënvlerësoi aftësitë e Bashkimit Sovjetik për mobilizim. Për një kohë shumë të shkurtër u riorganizua ushtria, u evakuuan ndërmarrjet e uzinat, në Urale dhe në Siberi u krijua një kompleks i fuqishëm industrial ushtarak. Më 5 dhjetor të vitit 1941 filloi kundërmësymja pranë Moskës. Kjo betejë shënoi një kthesë me rëndësi historike në rrjedhën e Luftës së Dytë Botërore, thotë Doktori i Shkencave Historike Mihaill Miahkov:

- Ushtria gjermane pësoi një dëm të tillë, të panjohur më parë prej saj në gjithë betejat e deriathershme. Disa gjeneralë të lartë gjermane pas Betejës së Moskës deklaruan, se mposhtja ushtarake e Bashkimit Sovjetik do të jetë e pamundur, në parim, pas kësaj, prandaj lypset medoemos arritja e zgjidhjes së problemeve vetëm me mjete politike. Pas një deklarate të tillë Hitleri shkarkoi nga detyra shumë gjeneralë. Ai ishte i irrituar, i zemëruar e turfullonte gjithë mllef - sepse iu ndërpre seria e fitoreve të shkëlqyera. Armatat e tij u ndaluan nën Moskë, kurse më pas filluan të zmbrapsen.

Pas Betejës së Moskës tribunalet ushtarake hitleriane dënuan për braktisje të pozicioneve (dezertim) rreth 62.000 ushtarë dhe oficerëve, vë në dukje Doktor i Shkencave Historike Juri Pivovarov:

- Rusia është një vend që nuk mund të mposhtet. Edhe Napoleoni e dëshmoi këtë, edhe Hitleri. Madje dhe pas shpartallimit të Ushtrisë së Kuqe në fillim të luftës dhe avancimit të trupave hitleriane deri në afërsi të Moskës, ai nuk mundi të fitojë megjithatë.

22 qershori i vitit 1941 dhe 9 maji i vitit 1945 janë dy data që do të mbeten përgjithmonë në kujtesën e shumë brezave të Rusisë. Ata i ndajnë 1.418 ditë dhe netë të Luftës së Madhe Patriotike, të cilat morrën më shumë se 27 milionë jetë të ushtarëve dhe banorëve paqësorë të Bashkimit Sovjetik. Fitorja u arrit me një çmim jashtëzakonisht të shtrenjtë. Por forca e errët, që aspiroi për dominimin e botës, u mposht.

Mihaill Aristov