0Evakuimi i rusëve prej andej nuk është planifikuar, të gjitha përsiatjet në lidhje me këtë temë nuk janë gjë tjetër veçse dezinformacione, deklaroi në prag Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë Aleksandër Llukasheviç.

- Kjo, ka shumë të ngjarë, të jetë përpjekje për të ndezur situatën, e cila edhe pa këtë është fort e tensionuar. Çdo vend, në rast të krijimit të situatave të tilla të mbarsura me tension, ka plane, në të cilat përpunohen skenarët përkatës. Por vendimi për evakuim merret nga udhëheqja e lartë politike. Unë nuk jam në dijeni të ekzistencës së planeve të tilla tani dhe aq më tepër të vënies së tyre në jetë.

Përshkallëzimin e situatës rreth Sirisë ekspertët e kanë quajtur tashmë "luftë informacioni". Më parë mediat kanë njoftuar se anijet ruse janë përgatitur për dërgesë në Siri për të mbrojtur bazën në Tartus. Sikur anijet e Flotës ruse të Detit të Zi janë të gatshme për lundrim dhe mbeten në pritje të urdhërit për nisje. Në këtë sfond u duk informacioni në lidhje me zhvillimin e manovrave ushtarake në Siri me pjesëmarrjen e anijeve ruse dhe trupave të këmbësorisë së marinës. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë e përgënjeshtroi këtë informacion - kurrfarë lundrimesh të largëta, njoftimet mbi të cilat figurojnë në faqet e mediave botërore, të anijes së madhe ruse të desantit "Kaliningrad" nuk janë planifikuar.

Ndërkohë, më 20 qershor grupi i aviacionit sulmues të SHBA, i kryesuar nga aeroplanmbajtësja atomike “Eisenhower”, doli nga baza e "Norfolk" në shtetin Virxhinia dhe mori fillimisht kursin drejt Mesdheut dhe do të lundrojë më tej në rajonin e Gjirit Persik. Këtij njoftimi të Forcave Ushtarake Detare të Shteteve të Bashkuara iu kushtua shumë më pak vëmendje.

Është acaruar fort situata edhe në lidhje me furnizimin e armëve në Siri. Një interesim të veçantë shkaktoi anija ruse “Alaid”. Kjo anije duhej të dërgonte në Siri helikopterët e tipit Mi-25, të cilët Rusia i ka riparuar dhe modifikuar për Sirinë. Në Moskë tashmë kanë theksuar në lidhje me këtë: se vendi po kryen mirëmbajtjen teknike të armatimeve në kuadër të plotësimit të kontratave të mëparshme, atyre të kohërave sovjetike. Në Siri po furnizohen vetëm mjete të mbrojtjes kundërajrore dhe jo armë, të cilat mund të përdoren kundër opozitës.

Mbi "luftën e informacionit", si mjet të mundshëm për të ushtruar presion mbi Rusinë, shprehen edhe diplomatët. Një burim në Ministrinë e Jashtme të Rusisë kujtoi, se në televizionin rus madje treguan anijet ruse të ankoruara në portet e Sevastopolit. Por kjo, po ashtu si dhe shpjegimet e Ministrisë së Mbrojtjes dhe detyrimet kontraktuale të Rusisë, me sa duket, nuk e minimizuan nivelin e mosbesimit.

Olga Denisova