0Rivale kryesore, si përherë, për të mbetet Anglia, vëren në intervistën dhënë Radiokompanisë “Zëri i Rusisë” Zëdhënësi i Komitetit Olimpik Kombëtar të Gjermanisë Christian Klaue.

- Cilat janë parashikimet tuaja për sa i përket performancës së përfaqësueses suaj në Olimpiadë?

- Tani përfaqësuesja jonë olimpike përbëhet përafërsisht nga 400 sportistë. Qëllimi ynë është të mbajmë pozita udhëheqëse në rezultatet e garave. Në Pekin ne zumë vendin e pestë në tabelën e klasifikimit ekipor dhe unë do dëshiroja që ta ruanim këtë pozicion. Ky është synimi ynë: të mbetemi në pesëshen e më të mirëve.

- Për të satën herë merr pjesë aktualisht Gjermania në Olimpiadë?

- Më duket se ne kemi marrë pjesë në të gjitha Lojërat Olimpike, duke filluar që nga viti 1896, me ndonjë përjashtim të rrallë. Për shembull, në Londër më 1948 nuk morrëm pjesë.

- Çfarë bën Komiteti Olimpik Kombëtar për të mbajtur lart shpirtin e garës të përfaqësueses tuaj?

- Përpara hapjes së Lojërave në Londër ne do takohemi me të gjithë ekipin përbërës të përfaqësueses tonë olimpike në Berlin dhe Presidenti ynë do organizojë përcjelljen e saj. Jam i sigurtë, se sportistë tanë do të sjellin frymën kombëtare gjermane në Londër.

- Kë konsideroni rivalin tuaj më kryesor?

- Ata janë disa. Në Pekin ne fituam 16 medalje të arta dhe të gjithë mbajtësit e tyre do shkojnë në Londër, ku shpresoj të arrijnë po ato rezultate. Por këtë është e pamundur ta garantosh.

- Si mendoni, cilat vende do hyjnë në pesëshen e më të mirëve?

- Mendoj, se treshja e liderëve është tashmë e qartë: ato janë SHBA-ja, Rusia dhe Kina. Ka vende që do të luftojnë për vendin e 4, 5, 6, 7, 8, 9 dhe të 10-të. Gjermania dhe Anglia janë pa diskutim midis tyre.

- Domethënë, rivalja juaj kryesore është Anglia?

- Po, një nga më kryesoret. Por edhe vende të tilla si Japonia, Franca dhe shtetet me potencial të ngjashëm.

- Ç’marrëdhënie kanë gjermanët me Olimpiadën? A e mbështesin ata përfaqësuesen e tyre?

- Çdo sportist që vjen në Gjermani e ndjen menjëherë mbështetjen. Gjermanët e duan sportin me gjithë shpirt.