Agjencia iraniane e lajmeve "Fars" ka raportuar, duke cituar burime anonime të mirëinformuara, se trupat ruse, kineze, siriane dhe iraniane në javët e ardhshme do të zhvillojnë manovrat e përbashkëta ushtarake në shkallë të gjerë në territorin e Sirisë.

Sipas raportit, këto stërvitje ushtarake do të jenë më të mëdhatë në Lindjen e Mesme. Në to do të marrin pjesë rreth 90 mijë ushtarakë të trupave të këmbësorisë, atyre detare dhe forcave ajrore. Në stërvitjet në fjalë do të përfshihen rreth 400 aeroplanë dhe një mijë tanke.

Në njoftimin e sipërpërmendur konfirmohet, se Egjipti ka dhënë leje kalimi përmes Kanalit të Suezit për 12 anije të marinës ushtarake kineze, të cilat për dy javë do të arrijnë në brigjet e Sirisë. Nëndetëset bërthamore ruse, anijet shkatërruese (destroyers), aeroplanët transportues si dhe luftanijet iraniane do të mbërrijnë atje në të njëjtën kohë.

Siria, gjatë manovrave ushtarake në fjalë, planifikon të testojë raketat e tipit “tokë-ujë" dhe sistemet e mbrojtjes kundërajrore, njofton Agjencia "Fars".