0Të shtunën e kaluar vëzhguesit ushtarakë të OKB-së deklaruan mbi ndërprerjen e veprimtarisë së tyre për shkak të përshkallëzimit të dhunës në Siri. Veç kësaj, Robert Mud deklaroi se të dyja palët e konfliktit sirian priren drejt zgjidhjes me luftë të krizës dhe jo për transferimin paqësor të pushtetit.

Në prag të mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Moska doli me qëndrimin për rifillimin e shpejtë të misionit të OKB-së në Siri. Sakaq, ajo i bëri thirrje me këmbëngulje Qeverisë siriane dhe opozitës së armatosur, që të garantojnë futjen e sigurtë dhe pa pengesa të bashkëpunëtorëve të misionit në rajone të ndryshme të Sirisë.

Duke gjykuar nga të gjiitha, ky qëndrim do të konfirmohet nga ana e përfaqësuesit rus në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Pritet, gjithashtu, që Moska të shfrytëzojë tribunën e OKB-së për të avancuar iniciativën e saj mbi mbajtjen e një konference ndërkombëtare mbi Sirinë. Është shpallur edhe qëllimi i saj kryesor: garantimi i realizimit të planit të Kofi Annanit, të miratuar nga KS-ja e OKB-së, me anë të ushtrimit të presionit njëkohësisht mbi të dyja palët e konfliktit sirian.

Ja ç’mendon në lidhje me këtë eksperti rus Sergei Demidenko:

- Perëndimi, ndoshta, nuk është aspak kundër për t’i dhënë fund punës me regjimin e Bashar Al-Assadit. Por kostoja e përmbysjes së tij, sigurisht, që do të jetë për vetë rajonin dhe në radhë të parë për Izraelin, shumë e lartë. Është krijuar një situatë e tillë, kur Perëndimi duket sikur dëshiron t’i japë fund regjimit sirian, por s’mundet ta bëjë këtë për shkaqe që lidhen me rrethana të caktuara gjeopolitike. Dhe i duhet dhënë merita që i takon Rusisë dhe Kinës sa i përket qëndrimit të tyre për çështjen në fjalë. Pikërisht falë këtij qëndrimi, situata në Lindjen e Afërme është frenuar nga rrëshqitja në kaos të plotë dhe pakthim.

Megjithatë, Perëndimi vijon të akuzojë Moskën se ajo ka për qëllim të furnizojë Sirinë me helikopterë luftarakë për luftën kundër opozitës. Në përgjigje, të hënën, në margjinat e Samitit të “G-20” Zëdhënësi i Presidentit të FR-së Dimitri Peskov deklaroi, se Rusia nuk po merret me eksport helikopterësh në Siri, por vetëm me mirëmbajtjen e atyre helikopterëve, me të cilët ky vend është furnizuar kohë më parë. Përpos kësaj, duke folur për helikopterët e meremetuar Dimitri Peskov shtoi, se bëhet fjalë për disa makina të vjetëruara.

Në sfondin e këtij përshkallëzimi brigjeve të Sirisë po përgatitet t’u afrohet një skuadrilje e anijeve luftarake ruse. Këtë e bëri të ditur të hënën një burim në Shtabin e Përgjithshëm të Flotës Ushtarake Detare të Rusisë. Duke sqaruar më tej, se ky lundrim po përgatitet për realizimin e detyrave të posaçme në portin sirian Tartus. Atje gjendet një pikë mbështetëse materialo-teknike për flotën ruse. Për lundrim janë gati dy anije të mëdha desantuese dhe një rimorkiator shpëtimi. Në bordin e anijeve desantuese është vendosur një grup i madh i marinsave rusë. Në rast se do jetë e domosdoshme, ata do të garantojnë sigurinë e qytetarëve rusë në Siri dhe do të evakuojnë gjendjen materialo-teknike të pikës mbështetëse në Tartus.

0Më parë u bë e ditur se në maj u anullua dalja e planifikuar në Detin Mesdhe e kryqëzorit raketor “Moska”, që do të patrullonte pranë brigjeve të Sirisë.

Konstantin Garibov