0Forumi i Petersburgut është sot një prej paneleve më kryesorë të dialogut midis pushtetit dhe biznesit. Forumi i këtij viti do të zhvillohet nën devizën “Liderizëm efektiv” dhe pikërisht liderizmi efektiv do të jetë tema e mbledhjes plenare, ku do të mbajë fjalën Presidenti rus Vladimir Putin. Pjesëmarrjen e tyre në Forum e kanë konfirmuar Presidenti i Finlandës Sauli Niinistö dhe Presidenti i Pakistanit Asif Ali Zardari. Edhe më shumë se 20 vende të tjera do të përfaqësohen në nivel Kryeministri dhe ministrash. Në sesionin special rus do të marrin pjesë ministrat e rinj të kabinetit të ri të Qeverisë ruse.

Tematika ruse do të paraqitet në disa panele diskutimi: dialogu i biznesit Rusi-BE, Rusi-Indi, Rusi-Bota Arabe. Një diskutim i veçantë do t’i kushtohet integrimit ekonomik europian. Në kuadër të Forumit konkluzionet e para të punës do t’i nxjerrë Fondi Rus i Investimeve Direkte. Aspekti i investimeve si dhe tema e zhvillimit të ekonomisë ruse në kushtet e krizës janë temat më aktuale sot, mendon analisti Vjaçesllav Pivovarov:

- Ajo që pres më shumë të dëgjoj në panelin e Forumit, nga anëtarët e rinj të Qeverisë dhe nga biznesmenët e mëdhenj, është sesi do të vihen në jetë iniciativat e reja në mbështetje të rritjes ekonomike, veçanërisht në kontekstin e krizës ekonomike globale. Detyra kryesore janë: të arrihet përmirësimi në mënyrë të konsiderueshme i klimës së investimeve dhe pozicionimi në listën e 20 vendeve të para në rejtingun e Bankës Botërore.

Tema e “Liderizmit efektiv” do të shqyrtohet edhe në kuadër të diskutimit mbi rolin e vendeve në zhvillim, në radhë të parë të vendeve të BRICS-it (BRIKS). Duke qenë sot liderë rajonalë, këto vende në të ardhmen mund të pretendojnë për rolin e liderëve globalë, vëren eksperti rus Nikollai Podguzov:

- Roli i vendeve në zhvillim, në vëllimin e përgjithshëm botëror të GDP-së, po rritet hap pas hapi së bashku me pjesën e tyre të GDP-së. Natyrisht, vende të tilla si Brazili, Rusia, Kina, India janë qendra të reja ekonomike. Në ekonominë botërore janë akumuluar mjaft disbalanca serioze, të lidhura me konsumin e stërtepruar të vendeve të zhvilluara. Zgjidhja e këtyre disbalancave, në fund të fundit, do të mundësojë rritjen e rolit të vendeve në zhvillim dhe uljen e rolit tradicional të tregjeve të zhvilluara.

0Në kuadër të Forumit Ekonomik Ndërkombëtar të Petersburgut planifikohet nënshkrimi i më shumë se dhjetëra kontratave dhe marrëveshjeve në fusha të ndryshme, përfshirë atë energjetike, bankare dhe në sferën e teknologjive të larta.

Polina Çernica