0Në Shtëpinë e Bardhë bisedimet e dy presidentëve i cilësuan si një nga pikat më të rëndësishme të vizitës së Lidershipit amerikan në Meksikë. Kurse perspektivat e dialogut midis Vladimir Putinit dhe Barack Obamas i diskutoi hollësisht i gjithë shtypi botëror: sepse, në fund të fundit, Udhëheqësi amerikan dhe ai rus u takuan për herë të parë pas rizgjedhjes së Putinit në postin e Kryetarit të shtetit.

Bisedimet u zhvilluan në hotelin "Esperanza", i cili gjatë kohës së zhvillimit të Samitit të “G-20” u shndërruan në seli të Barack Obamas. Rezultat i takimit u bë Deklarata e përbashkët e Presidentëve të Rusisë dhe SHBA, pikat e së cilës ata i parashtuan në një konferencë për shtyp. Për një orë e gjysmë ata arritën të diskutojnë një rreth të gjerë çështjesh - që nga ekonomia e deri tek siguria globale - deklaroi Vladimir Putin.

Presidenti amerikan, nga ana e vet, vuri në dukje se niveli i tregtisë midis dy vendeve sot është shumë më i ulët nga sa mund të ishte në realitet. Dhe për këtë arsye, si detyrë kryesore të administratës së tij në marrëdhëniet ekonomike me Rusinë Barack Obama quan anulimin e Amendamentit të Jackson-Vanik. Duam t’ju kujtojmë se ky dokument, i miratuar që në vitet '70 të shekullit të kaluar, kufizonte tregtinë e produkteve të sferës së teknologjive të larta me Bashkimin Sovjetik ...

Çështjeve të sigurisë udhëheqësit e dy vendeve u detyruan t’i kushtojnë më shumë kohë, sepse probleme, në të vërtetë, janë akumuluar shumë. Por koha e shpenzuar u shfrytëzua në mënyrë produktive dhe ata arritën në mirëkuptim, deklaroi Vladimir Putin:

- Ne biseduam edhe mbi çështjet ndërkombëtare, përfshirë dhe problemin sirian. Sipas mendimit tim, ne kemi gjetur shumë pikëpjekje në këndvështrimet tona përkatësisht këtyre çështjeve. Dhe u morrëm vesh të vazhdojmë kontaktet tona si personale, ashtu dhe në nivel të ekspertëve tanë.

Përsa i përket problemit të Sirisë, presidentët rus dhe amerikan theksuan domosdoshmërinë e dhënies popullit të këtij vendi mundësinë për të zgjedhur në mënyrë të pavarur rrugën e zhvillimit të vet të mëtejshëm. Vladimir Putin dhe Barack Obama u bënë thirrje palëve të përfshira në konflikt që të ndërpresin urgjentisht ushtrimin e çfarëdo lloj dhune dhe i shprehën mbështetjen e tyre të gjithanshme përpjekjeve të të Dërguarit të posaçëm të OKB-së Kofi Annan.

Edhe një çështje tjetër tepër nevralgjike - programi bërthamor i Iranit. Rusia dhe SHBA kërkojnë nga Teherani respektimin e plotë të detyrimeve të tij, të cilat janë parashikuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Tema qendrore e takimit të dy presidentëve u bë diskutimi i planeve të administratës së SHBA në lidhje me mbrojtjen antiraket, e cila është shndërruar në një gur prove (pengesë kryesore) në marrëdhëniet mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Siç deklaruan Vladimir Putin dhe Barack Obama, mosmarrëveshjet midis Uashingtonit dhe Moskës në lidhje me çështjen e mbrojtjes antiraket (MAR) vazhdojnë të ruhen. Por ekziston megjithatë synimi i fortë e këmbëngulës i palëve për të vazhduar dialogun.

Igor Sileckij