0Tema në fjalë vijohet nga vëzhguesi i Radiokompanisë "Zëri i Rusisë" Pjotër Iskenderov:

Tani fati i ekonomisë greke dhe i anëtarësimit të vendit në eurozonë u ndodh sërish në duart e vetë kreditorëve. FMN-ja, që disa javë para zgjedhjeve, preferoi në mënyrë delikate të mënjanohet, pasi bëri thirrje fillimisht për të pritur formimin e kabinetit qeveritar. Qëndrimin zyrtar të FMN-së e bëri të ditur Zëdhënësi i saj David Hawlei: “Ne po presim me padurim që të vendosim kontaktin me Qeverinë greke, sapo ajo të formohet”. Ndërsa në BE, me sa duket nga të gjitha, në lidhje me çështjen greke ka lindur një përçarje serioze.

Ashtu siç po përcillet, çështja qëndron tek çmimi. Kreu i Bankës Qendrore Europiane Mario Draghi ka lënë të kuptojë sakaq, se ndonëse ai personalisht e mbështet anëtarësimin e Greqisë në eurozonë, nuk do ta ruajë me çdo kusht atë. Deklarata analoge tingëlluan edhe nga “peshat e rënda” ekonomike të BE-së si Gjermania dhe Franca. Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schaeuble, në intervistën e vet dhënë gazetës "Stern", shprehu mendimin se cilado qeveri që të vinte në fuqi në Greqi, “nuk do të ndryshonte dot kurrgjë në situatën reale në vend, i cili gjendet në një krizë të mundimshme, si pasojë e drejtimit të gabuar ekonomik dhjetëvjeçar”. Presidenti francez, François Hollande është gjithashtu mëse i bindur, se Athina duhet “t’i përmbahet detyrimeve të veta", nëse dëshiron të mbetet në zonën e euros.

Votimet e tanishme demonstruan se zgjedhësit grekë lëshuan më së shumti “një avull proteste” gjatë zgjedhjeve pararendëse më 6 maj, kur partitë udhëheqëse të “Demokracisë së Re” dhe të PASOK-ut mbetën pa një numër të konsiderueshëm votash, vërejti në bisedën me “Zërin e Rusisë” eksperti i Institutit të Europës pranë Akademisë së Shkencave të Rusisë Vlladisllav Bjellov. Sipas tij, tani mund të flitet për krijimin e mundshëm të një koalicioni të moderuar. Ndërkohë, kërcënimi i tronditjeve të reja rreth Greqisë gjithësesi mbetet në fuqi dhe përpara BE-së qëndron po ajo dilemë e ndërlikuar:

- Fjala është për dy skenare. I pari parashikon ruajtjen e Greqisë në eurozonë nëpërmjet shpenzimeve thelbësore për shlyerjen e borxheve dhe falimentimin teknik të saj. Skenari i dytë ka të bëjë me daljen e Greqisë nga eurozona së bashku me skamjen e saj dhe pasojat e tjera serioze.

Se nëpër cilën rrugë do zhvillohet situata më tej, kjo do të varet si nga aftësia e politikanëve grekë për t’u marrë vesh, ashtu edhe nga prirjet dominuese në vetë BE-në. Nuk bën të harrohet se në vitin 2013 do zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme në Gjermani, e cial ruan një rol kyç në shpëtimin ekonomik të Europës. Ndërsa midis politikanëve vendorë ekzistojnë mendime të ndryshme, nëse duhet medoemos të ndihmohen grekët edhe më tej për hesap të taksapaguesve gjermanë.

Pjotër Iskenderov