- Çfarë rezultatesh synon ekipi rus në këtë Olimpiadë?

- Parashikimet në sport, siç dihet tashmë, nuk janë ndonjë punë për së mbari. Por nëse bëhet fjalë për shancet, sportistët tanë mund t’i gjykosh, sipas rezultateteve në kampionatet botërore në llojet e sporteve të verës dhe atëherë ne kemi një shanc real të renditemi në treshen e më të fortëve në klasifikimin jozyrtar. Për këtë do të duhet të fitojmë përafërsisht 23-25 medalje të arta dhe vendin e tretë si ekip në tërësi.

- Cili nga sportistët dhe në çfarë lloji sportesh mund të hyjë në zonën e medaljeve?

- Numërimi i gjithçkaje do të merrte mjaft kohë, ngaqë numri i përgjithshëm i medaljeve që kanë fituar sportistët tanë, ta zëmë në Pekin, ka qenë më shumë se 70. Sigurisht, që ne kemi liderë të padiskutueshëm, tek të cilët kemi varur shpresat. Këto janë sportistet e notit të sinkronizuar Natalia Ishenko dhe Svjetllana Romashina, të cilat në këtë disiplinë fitojnë tani të gjitha garat. Eugjenija Kanajeva në gjimnastikën artistike, Maria Sharapova në tenis, Elena Isinbajeva në kërcimim me shkop. Gjithashtu edhe atletët tanë të mundjes së lirë dhe asaj klasike, të cilët tradicionalisht janë përfaqësuar me shumë sukses.

- Sa persona marrin pjesë në delegacionin olimpik rus?

-Mendohet që shumatorja e sportistëve të akredituar, të trajnerëve dhe specialistëve përbën afërsisht 700 vetë. Prej të cilëve 430-440 janë sportistë.

- Ku është vënë më shumë theksi gjatë kohës së përgatitjes për në Olimpiadën e Londrës dhe nëse ka ndofarë sekretesh për të arritur suksesin?

- Theksi vihet, sigurisht, mbi atë që sportistëve t’u sigurohen kushte maksimalisht të favorshme gjatë përgatitjes së tyre. Këtë herë ne kemi përforcuar në mënyrë thelbësore kujdesin mjekësoro-biologjik për sportistët tanë. Tashmë janë bërë të ditura të gjitha datat e mbërritjes së sportistëve tanë në Londër. Kryesorja është që të sillen sportistët në pikun e formës sportive direkt e në start dhe që me shëndetin e tyre të jetë gjithçka në rregull. Por nuk mund të ketë ndonjë formulë të përgjithshme, sepse çdo sportist ka personalitetin e tij me veçoritë e veta individuale.

- Sipas jush, kush është rivali kryesor i përfaqësueses së Rusisë në Londër?

- Në klasifikimin jozyrtar të ekipeve, për të qenë lidere, sigurisht, do luftojnë Kina dhe SHBA-të. Detyra jonë është të hyjmë në treshen e parë.

- Çfarë mund të paraqesë interes për të mësuar dhe çfarë përvoje mund të përftohet nga ju para zhvillimit të Lojërave Olimpike Dimërore në Soçi?

- Përveç përfaqësueses sonë olimpike në Lojëra do të jetë i pranishëm edhe një ekip mjaft i madh i organizatorëve të Olimpiadës Dimërore të vitit 2014 në Soçi. Në këtë ekip do të përfshihen bashkëpunëtorët e Komitetit Organizativ, vullnetarë që do punojnë në Soçi si dhe përfaqësues të këtij qyteti. Gjithsej 200 vetë për të marrë pjesë në një program special, i cili vepron në çdo Olimpiadë për organizatorët e Lojërave të ardhshme të radhës. Ky program quhet “Vëzhguesi”. Në të përfshihet gjithçka që lidhet me punën për objektet sportive, fshatrat olimpikë, zhvillimin e ceremonive të hapjes e mbylljes, komunikacionin, punën me mediat.

- Ç’domethënie ka për Rusinë pjesëmarrja në Olimpiadë?

- I gjithë vendi është në pritje të performancës së sportistëve tanë. Bëjnë tifozeri dhe kanë përjetime, madje edhe ata që ndaj sportit nuk shfaqin ndonjë interesim të veçantë. Për ne pjesëmarrja në Olimpiadë është edhe prestigji i vendit.