0Ky është tashmë takimi i shtatë i udhëheqësve të lartë në formatin e "G-20". Samiti i mëparshëm u mbajt në nëntor të vitit të kaluar në Kanë. Ai iu përkushtua rreptësimit, shtrëngimit të kontrollit mbi bankat dhe masave të destinuara për parandalimin e valës së re të krizës. Ndryshime themelore në sistemin financiar dhe ekonomik global që nga ajo kohë nuk kanë ndodhur, dhe për këtë arsye në fokusin e këtij raundi të bisedimeve do të jenë përsëri problemet ekonomike. Vetëkuptohet, një vemendje të rritur udhëheqësit e “Njëzetëshes së Madhe” do t’i kushtojnë situatës së vështirë në zonën e euros, në sfondin e zgjedhjeve parlamentare në Greqi, si dhe parashikimeve negative të ritmeve të rritjes në Evropë.

Zgjidhja e problemeve të akumuluara nuk mund të jetë standarde, mendon eksperti rus për çështjet e zhvillimit ekonomik Andrei Lusnikov:

- Ndoshta një ide rrugëdalje mund të bëhej përpjekja për të rishikuar qasjen ndaj rritjes ekonomike si forcës lëvizëse kryesore të zhvillimit dhe për të gjetur disa forca të tjera lëvizëse. Sepse është iluzion të shpresohet që rritja ekonomike do të jetë e qëndrueshme megjithatë.

Për Rusinë ky samit ka një domethënie të veçantë - sepse që nga 1 dhjetori i këtij viti ajo do të kryesojë në “G-20”. Është planifikuar tashmë paraprakisht që takimi i ardhshëm i “Grupit të Njëzetëshes” të mbahet në shtator të vitit 2013 në Shën Petersburg. Axhenda e tij do të finalizohet pas raundit meksikan, i cili, nga ana e vet, do të bëhet një ngjarje historike, theksoi eksperti rus Aleksandër Gusjev:
- Diskutimi do të prekë në mënyrë të drejtpërdrejt problemet që lidhen me zhvillimin e qytetërimit. Një çështje e rëndësishme në të do të bëhet situata e përgjithshme ekonomike dhe politike në Afrikën Veriore dhe Lindjen e Mesme. Kjo është e lidhur me faktin e rënies së çmimit të lëndës hidrokarbure, ndërkohë që vendet e rajonit janë furnizuesit kryesorë të saj.

Presidenti rus Vladimir Putin në Los Cabos do të marrë pjesë në një sërë takimesh dypalëshe dhe në përbërje të zgjeruar. Kështu, ai do të komunikojë me kolegët e vet në BRICS (BRICS) si dhe do të zhvillojë bisedime me udhëheqësit e Britanisë së Madhe, Japonisë, Indisë, Brazilit dhe vendeve të tjera. Pritet që një vend qendror në serinë e kontakteve personale të tij të zenë negociatat me Presidentin amerikan Barack Obama. Putin dhe Obama nuk janë takuar që nga viti 2009. Çështje për diskutim janë grumbulluar jo pak - që nga mbrojtja evropiane antiraket e deri tek kriza siriane. Palët shpresojnë për një dialog të frytshëm në "margjinat" e samitit dhe theksojnë gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar në arenën ndërkombëtare dhe për të forcuar lidhjet ekonomike e tregtare midis tyre.

Ilia Harllamov